Rama në Londër: Takim me Blair

17/07/2013 00:00

Kryeministri i ardhshëm Edi Rama ka nisur një vizitë dyditore në Londër,
të cilën e ka njoftuar nëpërmjet një postimi në Twitter.

“Ne aeroportin e Londres, ku sapo zbritem per takimin e punes neser me kryeministrin Tony Blair dhe ekipin e tij” shkruan Rama.

Ky takim pason atë të muajt maj, nga ku Rama mori gadishmërinë e ish-kryeministrit britanik Blair për të këshilluar Ramën nëse ai fitonte zgjedhjet. Lajmi i gadishmishmërisë së Tony Blair për të këshilluar Ramën u komentua në menyrë të ndryshme nga gazetat si në Londër, po ashtu edhe në Tiranë.

Por Rama e ka sqaruar këtë situatë me një deklaratë ku tha se: “Ka një ngutje të madhe, të kotë për të bërë krahasime mes Blair-it dhe Podesta-ve, që paguhen me paratë e shqiptarëve për të dezinformuar opinionin ndërkombëtar dhe për të zbukuruar imazhin e një qeverie të korruptuar deri në palcë”.

Më tej ne deklarimin e tij Rama u shpreh se  “Të jeni të sigurt se vullneti i Blair-it për të ndihmuar Shqipërinë nuk ka çmim për të mirat që do sjellë. Ndërsa kontrata nuk do të rëndojë hiç fare mbi buxhetin e shtetit dhe të publikut”.

Tani që Rama është konfirmuar si kryeministri në ardhje i vendit ky takim merr një rëndësi të veçantë, pasi pritet të diskutohet me terma konkretë se ku do të konsistojë ndihma e Toni Blair për kabinetin Rama.

Krahas njoftimit të postuar në Twitter, Rama ka publikuar edhe një foto në terminalin e aeroportit ku disa bashkëdhëtar të linjës Tiranë-Londër e kanë ndaluar për të patur një foto me kryeministrin e ardhshëm të vendit.

Sakaq gjatë qëndrimit në Londër Top Channel ka mësuar se Rama është ftuar nga gjigandi mediatik britanik BBC për t’u intervistuar në emisionin ‘Hard Talk’. Formati këtij emisioni është i ndërtuar pyetje-përgjigje dhe të ftuarit janë lider botërorë.

Top Channel