Postoi foto me emirin e Dubait në rrjetet sociale, ish futbollisti i Romës përjashtohet nga kombëtarja e Iranit
Bosi i Formula 1, Bernie Ecclestone është vënë në qendër të një hetimi nga hetuesit gjermanë për akuzën e korrupsionit.
Ndaj Ecclestone është ngritur akuza e dhënies së rryshfetit për një bankier në Gjermani. Gerhard Gribkowsky, i bankës “Bayern Landesbank”, i dënuar me 8 vite e gjysmë burgim në Mynich për mashtrim fiskal.
Pagesa është bërë në vitin 2006 dhe lidhet me shitjen e disa aksioneve të një banke rajonale gjermane tek një partner privat i Formula 1. Po në këtë vit lindi akuza ndaj Gribkowsky-t.
Vetë Ecclestone ka pranuar se është bërë një pagesë prej 41.4 milion dollarësh për bankierin, por mohoi ta quante atë korrupsion. Në një intervistë për “Financial Times” ai tha se pagesa ishte bërë për të shmangur taksat e larta në Angli.
“Sapo kam folur me avokatët e mi të cilët më njoftuan se kanë marrë një letër nga autoritetet gjermane ku janë njoftuar për hetimin e nisur ndaj meje. Raporti po përkthehet në anglisht. Do të jetë një cështje interesante dhe mua më vjen keq për këtë që po ndodh”, citohet Ecclestone nga “FT”.
Në vitin 2006 Gerhard Gribkowsky ishte në krye të menaxhimit të shitjeve të aksioneve të bankës rajonale gjermane Bayern LB në Formula 1. 48 përqind e këtyre aksioneve shkuan për CVC Capital Partners, duke e shndërruar në aksioneren kryesore të Formulës 1 në Gjermani.
Gjatë dëshmisë së tij para një gjykate në Mynih, qershorin e vitit të kaluar, Gribkowsky konfirmoi pagesën prej 41.4 milion dollarë të marra nga Ecclestone nëpërmjet një të njohuri të tij. Vetë bosi i Formula 1 argumentoi kështu pagesën për ish-bankierin e dënuar tashmë:
“Isha i shqetësuar se nëse nuk do të paguaja Gribkowsky-n, ky i fundit do të njoftonte autoritetet britanike të taksave dhe kjo do të çonte në një hetim fiskal. Nëse kjo do të ndodhte, mundësia e vetme për mua do të ishte një cështje që mund të më kushtonte deri në 2 miliard dollarë, ndaj pagova atë që të mos ndërmerrte hapa të nxituara”, tha Ecclestone.
Top Channel