Prodhuesi i veshjeve sportive Adidas ka pezulluar fushatën sponsorizuese të tij ndaj sprintierit amerikan, Tyson Gay, një ditë pasi ai rezultoi pozitiv në testet antidoping.
Një testim, jashtë ndonjë kompeticioni, i realizuar nga Gay në muajin maj, rezultoi pozitiv sipas Agjencisë amerikane Anti-Doping.
“Jemi të shokuar nga akuzat e fundit”, tha një zëdhënës i Adidas gjatë së hënës. “Edhe pse e konsiderojmë si të pafajshëm, deri sa e kundërta të provohet, kontrata jonë me Tyson është pezulluar”.
Gay, 30 vjeç, është sprintieri i dytë më i shpejtë i të gjitha kohërave, në garat e 100 metërshit. Ai ka qenë gjithashtu njeriu më i shpejtë i këtij viti në botë, ndërkohë që ka fituar medalje të arta në 100m, 200m dhe stafetën 4x100m në kampionatin botëror të 2007-s.
Sprintieri është në pritje të rezultateve të testit B, ndërsa të hënë u shpreh: “Kjo nuk është një histori sabotazhi. Thjesht i kisha besuar dikujt dhe tashmë jam braktisur prej tij. E di shumë mirë se çfarë ka ndodhur, por nuk mund të diskutoj tani për këtë. Shpresoj, që të kem mundësi të vrapoj sërish, por do të pranoj çdo lloj ndëshkimi, që mund të më jepet si njeri”.
Lajmi për pozitivitetin e Gay-t erdhi së bashku me njoftimet për përdorjen e substancave stimuluese nga ana e Asafa Powell, si dhe Sherone Simpson e Allison Randall sa i përket garave të femrave.
Top Channel