Një gazetë spanjolle publikoi të martën dokumente të reja, të cilat tregojnë se kryeministri Rajoy dhe politikanë të tjerë të lartë kanë pranuar rryshfet gjatë aktivitetit të tyre politik.
”El Mundo” siguroi në artikullin denoncues se faktet janë autentike dhe se ajo ka në dorë letra të shkruara me dorë, nga ish-shefi i thesarit të Partisë Popullore, Luis Barcenas.
Në këto bordero dokumentohen pagesat e jashtëligjshme në vlerën e dhjetëra mijëra eurove ndaj kryeministrit Rajoy.
Pas publikimit, “El Mundo” dorëzoi të gjithë provat e saj në prokurori.
Një tjetër gazetë, “El Pais”, publikoi më parë gjatë vitit dokumente të së njëjtës natyre, që shkaktuan manifestime popullore masive në qytetet kryesore.
Ndërsa qeveria e Rajoy arriti të mbijetonte në atë krizë, tashmë presioni mbi koalicionin e qendrës së djathtë është më i madh se kurrë.
Aktualisht, Spanja është në recesion ekonomik dhe ka normën më të lartë të papunësisë në Eurozonë pas Greqisë, me 26,6% të forcës aktive dhe mbi 55% e të rinjve që kërkojnë një punë e nuk janë të aftë ta gjejnë atë.
Top Channel