Të gjitha detajet e TAP

07/07/2013 00:00

Pas miratimit të planit kombëtar sektorial për gazsjellësin Trans-Adriatik, përgjegjësi i sektorit të Hidrokarbureve në Ministrinë e Energjetikës, Stavri Dhima bën të ditura detajet e projektit që shndërron Shqipërinë në pikë kalimi të gazit natyror që vjen nga Azerbaxhani, me destinacion Evropën perëndimore.

“Pjesa shqiptare hyn në zonën e Korçës, në luginën e Devollit, afër Bilishtit. Më tej, vazhdon në Skrapar, del në Çorovodë, zbret në fushat e Beratit. Dalja në det është në zonën e Semanit në Fier, prej andej në Detin Adriatik del në Leçe të Italisë”, shpjegon zoti Dhima.

75% e territorit shqiptar në të cilin do të ndërtohet TAP-i është tokë private e cila do të kompensohet në dy forma: “Nëse bëhet fjalë për trasenë, do të bëhet një kontratë qiraje, marrëveshje mes kompanisë TAP dhe pronarit. Atij i jepet një sasi të ardhurash për atë sipërfaqe ku përfshihet gazsjellësi. Kjo sasi i jepet pronarëve që në fillim.
Për zonat në të cilat do të ndërtohen stacionet e valvulave apo kompresorëve që janë dy, Bilisht dhe Seman, do të kalojnë në pronësi të përhershme të TAP-it dhe do të bëhet kompensimi i tyre konform rregullave.”

Përdorimi i gazit natyror ul me 30 deri në 40% koston e energjisë. Pas marrjes së gazit të parë në 2019, qeveria shqiptare ka parakontraktuar një total prej 750 milionë metër kub gaz e që është parashikuar të shkojë për industrinë dhe TEC-et: “Konsumatorët e mëdhenj si TEC-i i Vlorës, Metalurgjiku dhe fabrikat e çimentos do të kenë një konsum të konsiderueshëm që do të jetë i disponueshëm që në fillim.”

Por e njëjta gjë duket se nuk do të ndodhë me konsumatorët e thjeshtë, pasi ndërtimi i tubacioneve për shpërndarjen e gazit natyror në familjet shqiptare kërkon një investim shumë herë më të madh: “Kjo lidhet edhe me nevojat për gaz. Pozicioni ynë gjeografik është i tillë që nuk e ka domosdoshmëri. Kjo mungesë emergjence bën që investimi të jetë i kujdesshëm.”

Top Channel