“Top-Story”: Pasardhësi i Berishës

04/07/2013 00:00

Fushata zgjedhore, zgjedhjet dhe rezultatet që dolën prej tyre u përcollën në një maratonë televizive nga ana e Sokol Ballës, në “Top-Story, Shqipëria Vendos 2013”.

Një maratonë e mbyllur një javë më parë, me fituesin dhe kryeministrin e ardhshëm të vendit, Edi Rama, “Top-Story” u rikthye këtë të enjte në formatin e tij të zakonshëm, me temën më të nxehtë të momentit në politikën shqiptare, të ardhmen e Partisë Demokratike, njëkohësisht opozita e ardhshme e vendit.

Dy javë pas zgjedhjeve, Shqipëria duket se është futur në një proces normal të ndërrimit të pushtetit, edhe sepse figura dominuese e politikës shqiptare që prej rënies së komunizmit, Sali Berisha, vetëm tre ditë pas humbjes së thellë deklaroi dorëeheqjen e tij të parevokueshme nga çdo funksion, pa dyshim nga ai kryeministror, por edhe nga kreu i Partisë Demokratike, e kjo ka hapur kreun për garën e kryetarit të asaj partie.

Kjo risolli normalitetin e sot, kur ende qeveria e re nuk është krijuar, fokusi është tek Selia Blu, e natyrshëm shtrohen pyetjet: A është vërtetë një situatë normale? A do të ketë një garë të drejtë?  Cili do të jetë roli i Sali Berishës dhe mbi të gjitha, cili do të jetë pasardhësi i tij?

Për të debatuar rreth të gjitha këtyre, në studio ishte i ftuar Artan Hoxha, analist i Institutit të Studimeve Bashkohore, Arjan Vasjari, editorialist i “MAPO”-s dhe pedagog në UET, ish-deputeti i PD-së i rikthyer në rolin e analistit, Mark Marku dhe analisti Skënder Minxhozi.

Artan Hoxha mendon se gara brenda PD-së do të jetë reale: “Berisha ndjen nevojën që kryetari i ri të dalë përmes një procesi gare real dhe për një gjë të tillë duhen kushtet. Janë bërë disa hapa për të krijuar mundësitë e një gare reale. Berisha u përpoq të thotë qartë se nuk do të ketë rekomandime nga ana e tij. Kandidaturat janë personalitete të partisë, persona seriozë dhe mendoj se procesi zgjedhor do të jetë serioz. Berisha do që kjo garë ta bashkojë më shumë partinë dhe jo ta përçajë atë.”

Gjithashtu, Hoxha shtoi se Partia Demokratike po ndryshon model: “PD-ja kërkon një kryetar partie për katër vitet e ardhshme dhe po ndryshon model. Këtë gjë e tregojnë disa faktorë: shumë njerëz mendonin se Berisha nuk do e jepte dorëheqjen; thonin që Sali Berisha do emëronte Lulzim Bashën kryeministër menjëherë; kujtonin se Sali Berisha do rekomandonte kryetarin e ardhshëm. Berisha i “zhgënjeu” të gjithë dhe PD-ja po shkon drejt zgjedhjes me metodën “një anëtar, një votë”.”

Mark Marku nuk e mendon kështu. Sipas tij, zgjedhja e kreut të ri të PD-së nuk është e mundur të bëhet nëpërmjet një gare reale: “Në këto 20 vite nuk ka demokraci në partitë tona dhe për këtë arsye është e vështirë të bëhet një garë reale. Ne e kemi parë që në çdo lloj zgjedhjeje në Shqipëri nuk ka rregulla. Nuk ka një numër të përcaktuar të anëtarësisë së PD-së e për këtë arsye vështirë të ketë proces demokratik.”

Më tej, Marku shton se kreu i ardhshëm i PD-së do të jetë shumë i ndikuar nga ai aktual: “Ai që do të fitojë do e ketë Berishën një faktor të rëndësishëm politik brenda PD-së. Më duket se Berisha po jep mesazhin që “de facto” do të vazhdojë të jetë kreu i partisë. Autoriteti i kryetarit të ri do të jetë në hijen e autoritetit të të vjetrit. Duhet një figurë shumë e fortë për të “mposhtur” Berishën. Kandidatët kanë deklaruar se Berisha është i pazëvendësueshëm dhe do të respektojnë traditën. Lideri i ri duhet të krijojë traditë të re sepse tradita jonë politike në këto 20 vite është e shëmtuar. Edhe në Europë ka pasur raste që hija e një lideri të madh ka mbetur me vite pas largimit të tij. Modeli i Berishës u pa qartë që nuk funksionon më dhe PD-ja duhet të heqë dorë nga lidershipi sipas modelit të Berishës.”

Ndërsa Skënder Minxhozi thekson se venerimi i Berishës nga Basha dhe Olldashi është e dëmshme për PD-në: “Zgjedhja e kryetarit po kthehet në një ilaç për të harruar tek PD-ja. Veneracioni për Berishën është element shqetësues pasi një model humbës nuk mund të merret si model frymëzimi për kandidatët për kreun e PD-së. Trashëgimia e Berishës bën që të çojë në një garë ku po riciklohet modeli humbës në një model fitues.”

“Është mbyllur cikli i Berishës dhe i gjithë kryesisë së kësaj partie, por hija e Berishës është logjike në këtë proces sepse ka pasur një impakt shumë të madh në PD”, nënvizoi Arjan Vasjari.

Olldashi apo Basha?

Në pjesë e dytë të “Top-Story”, debati u përqendrua në emra të përveçëm, mbi kandidatët që janë regjistruar në garë për kreun e Partisë Demokratike.

Duke e nisur nga fjala e Bashës, i cili doli përpara mediave me një fjalim të gjatë dhe problematik, ndryshe nga Olldashi që vetëm konfirmoi kandidaturën, Sokol Balla vuri në dukje se nëse do të jetë kryebashkiaku ai që do të fitojë zgjedhjet brenda partisë, do të përsëritet një shembull i kritikuar nga mazhoranca në largim, ai i kreut të opozitës jashtë Kuvendit të Shqipërisë.

Në komentin e tij, zoti Hoxha e vlerësoi si dytësor këtë element: “Analiza e procesit më duket më interesante se ajo e kandidatëve. Ky është një tjetër element në radhën e hapave metodikë, që po bëhen për të arritur një proces gare serioze, me dy kandidatë seriozë, që anëtarësia të votojë kë të mendojë si të përshtatshëm, për katër vitet e ardhshme. Kemi një bashkësi elementësh që i përafrohen një gare të hapur dhe dinjitoze, e duke mos e ditur se cili është i duhuri prej tyre, mendoj se gara mes Olldashit e Bashës është tejet e hapur”.

I pyetur për modelin e ardhshëm të kryetarit të Partisë Demokratike, e nëse ai duhet të jetë i ngjashëm apo i ndryshëm me atë të Berishës, Hoxha theksoi: “Nëse o votua kundër modelit të Berishës, atëherë i bie të preferosh një anti-Berishë, e jo një figurë për të bashkuar të shkuarën me të ardhmen. Unë mendoj se tek PD nuk mendojnë kështu dhe kryetari i ri duhet të marrë të gjithë të mirat që kryeminisitri ka pasur e ta afrojnë këtë parti sa më pranë fitores së zgjedhjeve të ardhshme. Mos harrojmë që bëhet fjalë për anëtarësinë e PD, që ka informacionin, vlerësimin dhe përceptimin e saj personal edhe për procesin zgjedhor, edhe për këtë garë për kreun e Partisë. Nga ana tjetër, këta 100 mijë demokratë, vështirë se do të votonin një kryetar të ri partie, nëse ai do të sulmonte figurën e Berishës, pa dyshim tepër popullor në këtë bazë të partisë”.

Në një ndërhyrje të Vasjarit, editorialisti vlerësoi se procesi brenda PD-së i tejkalon së tepërmi kufijtë e Selisë Blu. “Këtu po diskutojmë një problem demokracie, ky nuk mund të jetë vetëm problem i brendshëm i PD-së, por i gjithë sistemit dhe është një rast i mirë për të ndryshuar mentalitetin edhe brenda kryesisë e anëtarësisë së partisë më të madhe të opozitës në vend”.

Një mendim të ngjashëm ndan edhe Mark Marku. “Elektoratori është shumë herë përpara këtyre mendësive. Ky është ai elektorat që ka nxjerrë jashtë loje Ramizin kur mendohej se regjimi ishte i pamposhtur. Ky elektorat rrëzoi kushtetutën, ndaj mesatarja e inteligjencës së elektoratit është shumë më e lartë si koeficent, e si rrjedhojë formon një shumatore të çuditshme. Në rastin e zgjedhjes, nuk është problemi që të zgjidhet një antimodel apo të përcaktohet një luftë kundër Berishës. Mua kjo më duket edhe a padobishme, por edhe jo e fisme në kuadrin e lojës politike. Unë mendoj që PD duhet të ridimensionohet. Gjithsesi, tani futemi në një epokë të re kur edhe politika e shoqëria do të ridimensionet, ndaj pse e them që është jonormal nguti për t’u paraqitur në fushatëm për kryetarin e partisë? Si mund të paraqesin ata kandidatë në pak ditë një zë të qartë se si do të jetë vizioni i tyre politik, ndaj mendoj se gjithcka varet aktualisht nga konjuktura e PD-së dhe fjalimet e tanishme, që garantojnë vazhdimësinë janë boshe, pasi nuk transmetojnë asnjë mesazh real, përveçse vetëm disa fjalë boshe”, deklaroi Marku.

Përsëritje e modelit të kryetarit të opozitës kryebashkiak?

Duke përqendruar bisedën tek kandidati Basha, Minxhozi vuri në dukje, atë që sipas tij do të ishte një paradoks i veçantë, nëse kryebashkiaku do të dalë fitues nga përballja me Olldashin. “Kur po dëgjoja Bashën, m’u kujtua shprehja mos i bëj tjetrit atë që s’do të doje të të bënin ty. Në 2011-n, beteja e Bashës konsiderohej si korrekte nga ana politike në shumë aspekte. Ai thonte që Rama meritonte humbjen, pasi nga zyra e kryetarit të partisë dhe bashkisë kishte drejtuar një opozitë të ashpër, bojkotuese dhe agresive. Nëse Basha fiton në 22, në 23 do të kemi të njëjtën situatë, ai do të jetë kryetar opozite jashtë Parlamenti dhe kryetar i bashkisë së kryeqytetit, fiks e njëjta situatë kur u gjet Shqipëria deri kur Rama humbi zgjedhjet në 2011-n. Basha angazhohet sot në një garë kundër parimeve që vendosi në 2011-n. Kjo, edhe në planin e betejës personale politike nuk është praprë korrekte”, arsyetoi Minxhozi.

“Unë e pranoj këtë tezë nga kushdo që në 2005-n i tha Ramës që të linte bashkinë, e në shkurt të 2007-s kur kandidoi t’i thonte mos kandido më, por ngjashmërtia Basha-Rama është thjesht rastësi dhe nuk mund ta shtrosh sot, kur kritikët e Ramës nuk e kanë shtruar këtë edhe ndaj tij”, replikoi Hoxha.

“Kritiku i parë ishte vetë Basha që thonte të ndajmë bashkinë nga konflikti politik nëse ju kujtohet”, u kundërpërgjigj Minxhozi. “Dua ta shoh këtë problem të mbyllur në vetvete. Zoti Basha do të ndodhet të manaxhojë një opozitë më të dobët se ajo që Rama menaxhoi pas 2009-s. Opozita do të jetë e dobët numerikisht, Basha do të jetë jashtë Parlamentit dhe atje do të shfaqet natyrshëm protagonizmi i Berishës si deputet i asaj. Nga ana tjetër, vetë Bashkia e Tiranës, që do të ndajë kohën mes bashkisë dhe partisë, do të vuajë kryetarin me kohë të pjesshme në të dy selitë dhe aq e vërtertë ishte kjo, sa që e dimë që kishte pakënaqësi edhe vetë brenda PS në kohën e Ramës për këtë. Çështja është se duke pasur një detyrë shumë të rëndësishme, me një qeverisje qëndrore që s’është më e Partisë Demokratike, detyra e tij komplikohet për të mbajtur këto dy kunguj nën një sqetull”, shtoi Minxhozi.

Në vlerësimin e tij, Marku deshi të theksonte se: “Basha nuk është fajtor për këtë situatë edhe nëse krijohet, pasi ai është kryetar bashkie dhe një prej figurave kryesore të PD-së, e në rrjedhë logjike ka pasur gjithmonë një pritshmëri që Basha, ashtu si Olldashi do të kandidonin. Problemi, mendoj se do të krijohej nëse ai zgjedh të kandidojë në zgjedhjet e 2015-s për bashkinë, por që të jemi të sinqetë, besoj se ekziston një problem në kuadrin e sistemit që kemi ne. Deri tani, grupet parlamentare, s’kanë kurrfarë peshe, janë të emëruar të partisë dhe ne jemi paradoksalisht në një sistem parlamentar grupi parlamentar s’ka rol, pasi mospjesëmarrja e kryetarit të opozitës në Parlament e dobëson shuëm forcën politike, e në këtë drejtim e shoh problematik moszgjedhjen e kryetarit të opozitës në Parlament sepse do të krijohen dy qendra pushteti, partia e Parlameni e do të ketë një asgjesim autoritetesh për shkak të faktit që kryetari s’është në Kuvend”.

“Ajo ideja që meqënëse e ka bërë Rama e përligj edhe Bashën, mendoj se ka ardhur momenti që të mos krahasojmë dy modele të këqija, por të krahasojmë modelin me standartin dhe në këtë pikëpamje, mendoj se me Bashën kryetar partia do të kishte një regres”, analizoi Vasjari.

“Elementi pozitiv, e dyta, është që në një farë mënyrë shfaqtet një tërheqje e gardës së vjetër të PD-së. Sigurisht, Basha do të përballet me të njëjtat probleme që u ndesh Rama, por ajo që unë shikoj është që pritshmëritë ishin që Basha të kandidonte. është e vërtetë, por përse kishte pritshmëri? Në këndvështirmin tim, do të ishte më logjike që Olldashi të ishte pritshmëria, sepse ka më shumë karrierë dhe kontribute, por nëse tek Rama funksinoi “atvrasja”, kur i mori partinë Nanos, tek Basha nuk është ajo formulë. Ai është një kopie e qartë e Berishës dhe ka pasur një mbështetje të qartë gjatë të gjithë karrierës, edhe pse nuk ka kontributet e nevojshme, në vlerësimin tim, për të qenë kryetar i partisë”.

Idenë që pas Bashës është sponsor Berisha, një ide e përhapur gjerësisht edhe në media të ndryshme, Hoxha e kundërshtoi me vendosmëri. “është jologjike që Basha të jetë pasardhësi, pasi Berisha gjithmnonë ka menduar që do t’i fitonte zgjedhjet. Ai që ka fiksuar mendimin e tij në kokë, çdo nuancë e përdor për të argumentuar qëndrimin e tij, por mos ju duket nga ana tjetër Olldashi ndonjë karagjoz? Nëse ai do të përceptonte që Basha është i paracaktuar, a do të hynte në atë garë? Për çfarë, për t’u diskretituar? Kjo ndodh sepse nuk ka pasur trashëgimtar të paracaktuar dhe tani janë krijuar kushtet për një garë të vërtertë e të ndryshme”, këmbënguli Hoxha.

Në një replikë të fundit, Minxhozi përfundoi: “Unë gjithçka e besoj, por që Berisha s’ka ditur rezultatin, këtë nuk e besoj. Berisha nuk mund të mos ketë ditur humnerën e madhe të votave.Që     ai të ketë pasur iluzionin që po i fiton zgjedhjet këtë se besoj, sepse kjo do të tregonte që ai është i paaftë dhe kjo nuk ëshët e vërtetë. Në funksion të saj rezultatit të pritshëm, në mendimin tim, e gjithë fushata u dizenjua me Berishën violinë e parë dhe Bashën direkt pas tij. Ju kujtoj që Basha ishte në hapjen e fushatën në Nënë Tereza, e mbajti fjalimin kryesor pas Berishës. E njëjta gjë ndodhi edhe në Elbasan, ku tek tuneli i takonte ministrit Olldashi më shumë të ishte i pranishëm. Karrierë të tillë rrufe si Basha nuk ka pasur të tjera në politikë. Olldashi ka pasur një rritje normale e graduale, ndërsa ajo e Bashës nuk mund të jetë ajo e një njeriu të lënë mënjanë”.

Top Channel