ILIR YZEIRI – Analiza për humbjen e thellë të PD-së dhe për shkatërrimin tërësor të modelit “Berisha” do të vazhdojë gjatë, sepse, në këta njëzet vjet, Berisha arriti të krijojë një model që ishte identifikimi dhe projektimi i shumë shqiptarëve në të.
Në fillim, ai zuri vendin qendror në Partinë Demokratike të sapokrijuar pas protestave të studentëve dhe u identifikua nga të gjithë me liderin antikomunist. Në atë kohë u harrua shumë shpejt kundërshtimi që i kishin bërë atij, të paktën dy figura që sot janë aktivë në jetën publike, Shinasi Rama dhe Edi Rama. Nuk kaloi shumë kohë dhe ai filloi ta rrudhë portretin e tij dhe pas fitores plebishitare në vitin 1992, ai nisi të ndërtojë një sistem jodemokratik që arriti kulmin me zgjedhjet e 1996-s, në të cilat ai u shfaq si një autokrat neokomunist i rrezikshëm. Erdhi viti 1997 dhe Berisha u bë shkak që në vend të shpërthente një kryengritje e vërtetë e armatosur dhe këtu modeli i tij si lider ku identifikoheshin antikomunistët dhe demokratët e Shqipërisë u rrudh edhe më. Nga vendi u larguan me mijëra e mijëra vetë, të cilët u shtoheshin gjithashtu mijëra e mijëra të tjerëve që e kishin lënë këtë vend më parë. Në vitin 1997, dhuna e egër që shoqëroi kryengritjen dhe revoltën masive popullore riaktivizoi në ligjërimin politik retorikën antikomuniste. Berisha nxitoi ta etiketonte atë si një dhunë komuniste dhe i shpalli kundërshtarët e tij politikë si vazhdues të komunistëve që kishin si armë kryesore dhunën. Në këtë kohë nuk duhet të harrojmë kontributin e Azem Hajdarit, i cili u kthye në PD dhe te Berisha vetëm disa muaj pasi ky i fundit e kishte poshtëruar publikisht. Berisha u kthye në PD, Azem Hajdari u vra dhe PD-ja në opozitë u bë një parti e rrudhur deri në trishtim. Në zgjedhjet e vitit 2001, PD-ja identifikohej ende me të djathtën shqiptare si vlerë shoqërore. Përballë abuzivizmit të pushtetit nga socialistët e Nanos, PD-ja dhe Berisha identifikoheshin më shumë me vlerat e modernizmit të kulturës shqiptare si nderi, virtyti. Berisha ende projektohej si një lider me vizion që mbronte virtytet morale dhe respektonte jetën dhe pronën, përballë një qeverisjeje që po drejtonte vendin me aventurizëm. Në vitin 2005, këtë vizion Berisha e plotësoi edhe me një përmasë liberale dhe gati i bindi të gjithë se ai ishte lideri që nuk kishte pasur fatin ta realizonte projektin e tij të djathtë. Personalisht isha zhgënjyer me të një vit më parë, por kjo ka pak rëndësi. Të mos harrojmë një fakt. Pas vitit 1997, PD-ja, si në zgjedhjet e vitit 2001,si në ato të vitit 2005, 2009, nuk ka pasur asnjëherë më shumë se 30% të votave. Mirëpo këto tetë vjet qeverisjeje, Berisha pati kohë jo të realizonte projektin që nuk kishte pasur kohë ta vinte në jetë për shkak të vitit 1997, por pati kohë të realizonte modelin e neokomunistit të fundit. Ai u shfaq që në fillim si antivlerë e së djathtës. Në fillim goditi një klishe të së djathtës që ishte bashkëpunimi me serbët. Formalisht, e djathta njihet si forcë politike që ka në qendër atdheun. Berisha u shfaq si politikani që gjënë e parë që bëri ishte shitja e atdheut. Kështu ai dëmtoi edhe të djathtën historike dhe i dha të drejtë filozofisë liberale të së majtës shqiptare që e kishte shpallur me të drejtë Zogun si shtetarin e parë që kishte shitur atdheun për pushtet. Berisha u identifikua në shekullin XXI me këtë anë të errët të politikës tradicionaliste shqiptare. Berisha u identifikua me një lider provincial, të prapambetur që mbartte gjithë cenet e një njeriu të trashë, të pakulturuar, të neokomunistit arrogant që jo vetëm nuk e njihte ligjërimin politik modern, por që u bë shfaqja më karikaturore e ligjërimit të ulët, të prapambetur e fshataresk. E ktheu hapësirën mediatike në një kuvend të pështirë të kafeneve të orientit ku merreshin nëpër gojë gjithë ata që nuk e donin atë. Po ashtu, ai u identifikua me modelin e regjimeve autoritare e të korruptuara të Tunizisë apo të Egjiptit. Ai, ashtu si ata, futi në lojën e ndyrë politike e në afera të dyshimta edhe familjen e tij. Në anën tjetër mblodhi rreth vetes një tufë ministrash e zyrtarësh që i la të vidhnin e të shpërdornin detyrën pa fund. Jo vetëm kaq, por i nxiti që të shfaqeshin në publik edhe si idiotë edhe si arrogantë. Dalëngadalë ai nisi të bëhej jo lideri që identifikohej me të djathtën, por një shtetar që kishte krijuar simpati te një pjesë fanatikësh të pafajshëm e të verbër dhe u shfaq si drejtues i një karteli gati mafioz që kishte bërë me pushtetin çfarë kishte dashur, deri edhe vrasje si ajo në Gërdec për afera korruptive dhe në mes të Bulevardit për të ruajtur pushtetin. Për të gjitha këto e për shumë të tjera, ai do të mbahet mend si neokomunisti i fundit që e asgjësoi të djathtën si frymë në këtë vend. Edi Rama do të hyjë patjetër në histori si njeriu që nxori nga skena politike dy komunistët e fundit, Fatos Nanon dhe Sali Berishën. Por ndërsa e majta shqiptare është reformuar dhe falë Edi Ramës ka marrë edhe tipare të qendrës dhe ka një profil të spikatur antikomunist në frymë, e djathta shqiptare aktualisht nuk ekziston. Bamir Topi dhe partia e tij janë pak. PD-ja nuk mund të arrijë kurrë të ringjallet si e djathtë për sa kohë që Berisha ka hije të rëndë në atë parti dhe për sa kohë që rolin kryesor, të paktën për momentin, e kanë marrë disa gra që flasin si burra dhe disa burra që shfaqen ende me fjalorin folklorik të këngëve popullore që këndohen në oda miqsh mes njerëzve që nuk e dinë ende se në çfarë shekulli jetojmë. Nga të gjitha analizat që kam parë këto ditë prej eksponentëve të lartë të PD-së apo atyre analistëve që vajtojnë me këngë majekrahi për të, vetëm ajo e Ilir Rusmalit më duket saktë, sepse është shkruar me kulturë, me mjaft kulturë perëndimore. Por Ilir Rusmali është përjashtim në atë parti dhe aksionerët e kartelit që popullojnë atë godinë dhe gratë që flasin si burrat e quajnë Rusmalin bir komunisti. Pra, duke parë të gjitha këto, më ngjan se fitorja e Edi Ramës është aq e thellë sa që do të duhet kohë që ne të kemi përballë tij një opozitë të besueshme. Unë nuk shoh të paktën për shumë e shumë vjet një të tillë. PD-ja do të vazhdojë të rrudhet dhe nuk do të jetë çudi në qoftë se ajo do të katandiset një ditë si një ish-parti. Kjo ma bën të trishtueshme këtë fitore të thellë të Edi Ramës.
Top Channel