Kryeqyteti, kufizime uji dhe energjie elektrike

29/06/2013 00:00

Muaji qershor u çel dhe po mbyllet me probleme në furnizimin e energjisë
elektrike dhe ujë të pijshëm në disa nga lagjet e kryeqytetit. Rruga
“Bardhyl”, “Brryli”, zona e Medresesë, pallatet te restorant “Durrësi”
kanë pasur probleme me furnizimin me energji elektrike, për disa orë
gjatë paradites.

Energjia elektrike

Nga ana e CEZ Shpërndarje, por edhe Drejtorisë së Ujësjellës- Kanalizimeve nuk ka asnjë njoftim zyrtar për mungesë energjie apo kufizime në oraret e shpërndarjes. Dje, gjatë paradites, dritat janë shkëputur edhe në selinë e Partisë Demokratike. Edhe në qendër kufizimet e energjisë elektrike kanë qenë të pranishme pavarësisht se ndodhemi në një sezon ku rrjeti nuk mund të konsiderohet si i ngarkuar, siç ndodh në dimër, kur temperaturat janë të ulëta dhe të gjitha institucionet apo zonat e banimit ngarkojnë rrjetin sidomos për ngrohje.

Kufizimet e energjisë elektrike nisën një javë më parë, pas problemeve që pati në nënstacionin e uzinës autotraktor, ku për dy ditë me radhë mbetën pa energji elektrike zona e Ali Demit, Qesarakë, pallatet te “Bërryli”, si dhe një pjesë e konsiderueshme e tregut elektrik dhe Rrugës së Elbasanit.

Çështja e rrjetit të amortizuar ka shkaktuar jo pak herë pengesa për furnizimin normal të popullatës me energji elektrike. Specialistët e CEZ pranojnë se linjat janë të viteve ‘60 dhe nevojiten investime kolosale për t’i ndërtuar nga e para. Ishin pikërisht investimet e munguara në kohën kur shoqëria drejtohej nga çekët që shërbyen më pas me heqjen e licencës. Nevojiten të paktën gjysmë miliard dollarë për të pasur një sistem të qëndrueshëm. Sahit Dollapi, administratori i ri kompanisë, tashmë nën duart e shtetit, premtoi se nuk do të ketë më kufizime të energjisë, por nuk përjashtoi mundësinë e ndërprerjeve që lidhen pikërisht me defektet.

Uji i pijshëm

Një pjesë e pallateve në Rrugën e Kavajës, zona e Tiranës së Re, pranë gjimnazit të përgjithshëm “Petro Nini Luarasi” kanë paraqitur ankesë në Drejtorinë e Ujësjellës-Kanalizimeve për mungesë të ujit të pijshëm për ditë me radhë.

Po ashtu në rrugën “Bardhyl”, “Qemal Stafa” dhe në zonën e Medresesë për ditë me radhë ka pasur mungesa në furnizimin me ujë, por edhe kufizime në shpërndarjen e energjisë elektrike.

Në disa nga zonat e kryeqytetit oraret e furnizimit nuk janë më të njëjta, nga tre herë në ditë uji mbërrin në çezmë dy herë, apo në disa raste edhe njëherë në ditë. Ndërkohë që në zonën e Bathores, banorët kanë ujë vetëm një herë në ditë dhe në sasi të pakët, pa presion në shpërndarje.

Konsumi i ujit në vend vijon të jetë në norma tepër të mëdha. Një pjesë e lavazheve, bizneseve që shesin fruta perime, por edhe ndërhyrës të tjerë në rrjet i marrin në tërësi banorëve të qytetit sasi të konsiderueshme uji, të cilat në vend që të shkojnë në çezmat e qytetarëve që paguajnë rregullisht faturat e konsumit të ujit, përfundojnë në lidhje të paligjshme, të cilat as nuk paguhen nga përvetësuesit. Po ashtu, një pjesë e lagjeve dhe zonave të kryeqytetit edhe pse në vitin 2013, vijojnë të kenë probleme me infrastrukturën sidomos në ato që quhen pika fundore, ku uji mbërrin me vështirësi për shkak të pozitës ku ndodhen.

Top Channel