Lleshi: Komisionerë, zbatoni ligjin

22/06/2013 00:00

Mesditën e së shtunës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se baza materiale dhe fletët e votimit janë shpërndarë tashmë në të gjithë territorin e vendit, në KZAZ dhe qendra votimi.

Kryetarja e institucionit më të lartë zgjedhor, nga mbledhja e radhës deklaroi se ky process ka shkuar përgjithësisht mirë, por janë vënë re pengesa për shkaqe mos bashkëpunimi dhe komunikimi nga disa komisione të niveleve të dyta.

Ajo u kujtoi komisionerëve se përvec përgjegjësisë qytetare, kanë edhe përgjegjësi penale në rast të moskryerjes së detyrës, duke apeluar për një proces korrekt.

“Mos e lini KQZ-në vetëm. Jemi bashkëpërgjegjës. Ju apeloj se vërtet jeni të emeruar nga partitë, por zbatoni ligjin. Ju bëj thirrje edhe partive dhe cdo aktori në zgjedhje të kontribuojë për proces të rregullt. I garantoj shqiptarët se asnjë prej tyre nuk do të pengohet të votojë. Cdo shqiptar me të drejtë vote do t’i garantohet e drejta për të shprehur vullnetin  e tij”, tha Lleshi.

Kryetarja e KQZ-së u kërkoi komisionerëve që për cdo rast t’i referohen Kodit Zgjedhor, duke marrë shkas nga pengimi që disa KZAZ i kanë bërë përfaqësuesve të medias, zonja Lleshi bëri sqarimin për të gjithë komisionerët.

“Pavaresisht akreditimit ka apo jo, media është e lirë të bëjë detyrën. Të mos pengohet media”, tha ajo.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, prej së premtes është i mbledhur dhe në cdo rast do të trajtojë për zgjidhje cdo problem apo bllokim të mundshëm, garantoi numri një i KQZ-së.

Top Channel