Kreditë e këqia rrezikojnë bankat

22/06/2013 00:00

Sistemi bankar në Shqipëri mbeti jashtë vorbullës financiare që përfshiu bankat në ekonomitë e zhvilluara europiane. Por që nga viti 2009, kur nisi kriza, disa nga treguesit e tij bazë janë dobësuar.

Në raportin e fundit vjetor, Banka e Shqipërisë thotë se kreditë me probleme neto ndaj kapitalit rregullator të bankave arritën vitin e kaluar 55.6 përqind. Krahasuar me vitin 2007, shifra është rritur me 5 herë. Kreditë me probleme, të paprovigjonuara bankat nuk i kanë mbuluar me fonde rezervë.

Edhe pse nuk janë hua të humbura përfundimisht, rritja e tyre në këto nivele është shqetësim për sistemin financiar të vendit. Me këtë raport, nëse këto kredi, që janë sakaq problematike, do të humbisnin përfundimisht, më shumë se gjysma e kapitalit rregullator që kanë bankat aktualisht do të thahej dhe kjo do kërkonte që ato ose të rrisin fondet rezervë ose të shtojnë kapitalin, në këto kohë të dyja të vështira.

Vetë Banka e Shqipërisë në raportet e saj mbikqyrëse e prek jo pak këtë cështje. Ndërsa ndërkombëtarët si Fondi Monetar ashtu dhe Banka Botërore kanë kërkuar me ngulm përmirësimin e procedurave ligjore për ekzekutimin e garancive që do të ulnin rreziqet nga kreditë që nuk shlyen.

Sërish Banka e Shqipërisë thotë se sistemi bankar i vendit është i shëndoshë dhe analizat e stimuluara të stresit që ajo kryen peridokisht tregojnë se ai mbetet i mbrojtur edhe ndaj këtyre goditjeve ekstreme. Por përtej kësaj, ashtu si në cdo sektor të ekonomisë, edhe për tregun financiar rreziqet janë rritur.

Top Channel