Dyndje emigrantësh për votime

22/06/2013 00:00

Rreth 7000 emigrantë që vijnë nga Greqia janë regjistruar vetëm gjatë 24 orëve të fundit në pikën kufitare të Kakavijës, të cilët, siç shprehen, vijnë për të votuar të dielën, më 23 qershor.

Sipas autoriteteve kufitare, piku është arritur gjatë orëve të nats, kur kufirin e kanë kaluar mbi 120 autobusë dhe 1700 automjete të vogla. Emigrantët shprehen se nuk mund të mungojnë ditën e dielë për të dhënë verdiktin e tyre në këto zgjedhje paralmenatre kaq të rëndësishme për vendin. Ata pohojnë se pavarësisht dëshirës për të marrë pjesë në votime, për disa, biletat e udhëtimit kanë qenë falas, sponsorizuar nga subjektet politike, ndërsa të tjerë vijnë me shpenzimet e tyre.

Është shënuar vetëm një orë vonesë për shkak të një defekti në sistemin online të dy palëve. Por, ndryshe nga herë të tjera, këtë radhë nuk janë vënë re probleme të tjera në  pikën e kontrollit të pasaportave pasi të dy palët punojnë me numër maksimal punonjësish dhe sportelesh.

Fluks edhe më i madh emigrantësh pritet ditën e shtunë në darkë në pikën hyrëse dhe po kështu të dielën në darkë në kthim, kur emigrantët pas votimit do të kthehen në Greqi për të vijuar punën të hënën.

Përllogariten rreth 150 autobusë të financuar nga subjekte politike të cilët mundësojnë udhëtimin falas për emigrantët që duan të vijnë për të vouar në Shqipëri .

Top Channel