Burgaj, për sigurinë në ditën e zgjedhjeve

22/06/2013 00:00

Në rast se gjatë apo pas zgjedhjeve do të ketë situata të pamenaxhueshme për herë të parë Policia e Shtetit ka parashikuar në plan masat e saj që të vendosë në qarkullim helikopterët.

Kjo masë do të jetë në plan rezervë, ndërkohë që gjatë konferencës së numrit një të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj u deklarua se gjatë fushatës elektorale policia shqiptare ka siguruar mbarëvajtjen e 3312 aktiviteteve elektorale në të gjithë vendin  dhe se policia shqiptare do të vijojë gatishmërinë e saj deri në një urdhër të dytë.

“Jemi të përgatitur dhe kemi plan të veçantë për këto zgjedhje. Kemi vënë në dispozicion helikopterë të ushtrisë në zona në gatishmëri për të vepruar në çdo rast, dhe forca të gatshme për të vepruar në çdo moment . Në total  janë evidentuar 44 incidente dhe ngjarje zgjedhore, nga të cilat 8 raste janë evidentuar para fushatës elektorale dhe 36 raste gjatë fushatës elektorale. Numri më  i madh  i tyre ka ndodhur në qarkun  e Tiranës,  Elbasanit, Shkodrës e Vlorës.Theksojmë se kryesisht kemi të bëjmë me incidente të lehta, ku më të dukshme kanë qenë veprimet për dëmtimet e prishjet e posterave, simboleve, flamujve, e zyrat elektorale të subjekteve politikë, që zënë rreth 65 % të numrit të përgjithshëm. Ndërkohë në 25% të rasteve kemi të bëjmë me kanosje, përdorim dhune ndaj përfaqësuesve të subjekteve politike, etj”, tha Burgaj.

I shoqëruar edhe nga zv.Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike Muhamet Rrumbullaku, numri një i policisë theksoi gjatë konferencës se janë përfshirë në shërbim për ruajtjen e qendrave të votimit 6200 efektive policie.

“Për ditën e sotme janë planifikuar për t’u përfshirë në shërbim për mbulimin e KZQV-ve dhe Qendrave të Votimit 6.200 punonjës policie. Për të garantuar mbulimin me shërbim të të gjithë objekteve zgjedhore është bërë lëvizja e rreth 750 forcave policore nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë dhe 2 drejtorive Rajonale të Kufirit e Migracionit në drejtim të atyre zonave, ku nuk mbulohej numri i objekteve zgjedhore me punonjësit që ato kanë në organikë. Në këtë kuadër, për të garantuar të drejtën e tyre për të votuar janë marrë masa për vënien në dispozicion të tyre mjete transporti, autobusë”, shtoi Burgaj.

Dita zgjedhore do të monitorohet nga një sallë në Policinë e Shtetit në të cilën do të grumbullohet cdo informacion që i takon profilit  policor.

Top Channel