Vëzhguesit: Partitë kujdes për proces konstruktiv

21/06/2013 00:00

Drejtuesi i misionit vëzhgues zgjedhor afatshkurtër OSBE-së dhe
drejtuesit e delegacioneve parlamentare të OSBE-së dhe të Këshillit të
Europës, të cilët do të vëzhgojnë zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit
në Shqipëri, u bëjnë thirrje të gjithë liderëve politikë, të përdorin
ditët e mbetura në vazhdim, për t’u angazhuar në një proces konstruktiv
për të siguruar zhvillimin e papenguar të zgjedhjeve.

“Institucionet administrative zgjedhore duhet të jenë në gjendje të funksionojnë në mënyrë të pavarur nga fushata elektorale, duke garantuar se vullneti demokratik i votuesve do të respektohet nga partitë politike dhe do të zbatohet nga autoritetet. Kundërshtimet ligjore nuk duhet të bllokojnë punën kritike të institucioneve demokratike” theksohet në një deklaratë të përbashkët të Roberto Battellit, Joao Soares dhe Luca Volonte.

Në Shqipëri nga 400 vëzhgues të kërkuar nga ODIHR-i për të ndjekur zgjedhjet e së dielës, kanë mbërritur vetem rreth 300 të tillë, ndërsa misionit të monitorimit ditën e diel do t’i bashkangjiten edhe stafet e ambasadave të vendeve të ndryshme përfshirë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Top Channel