Rama-Meta: Fitojmë deri në 80 mandate

21/06/2013 00:00

Në ditën e fundit të fushatës elektorale, udhëheqësit e koalicionit të
majtë Edi Rama dhe Ilir Meta u shfaqën në një konferencë të përbashkët
për shtyp, ku shprehën sigurinë për fitoren nga 77 deri në 80 mandate.

Ata thane se nuk ka ndarje te pushtetit me perqindje dhe i bene thirrje Sali Berishes, qe nje here te vetme ne karriren e tij politike te zhvilloje zgjedhje te drejta e te lira.

Edi Rama: Ne nuk ka rëndësi vetëm të fitojmë, por edhe të fitojmë me ndershmëri, dinjitet dhe autoritet të plotë. Aleatët tanë dhe subjektet e tjera që janë opozitare që nuk janë koalicionin tonë kanë të gjithë të drejtën të mbrohen prej nesh dhe ne do ta respektojmë deri në fund këtë drejtë, sepse ne jemi Aleanca për Shqipërinë Europiane dhe së bashku me partnerin tonë strategjik, LSI, ne si Partia Socialiste, përfaqësojmë opozitën në komisione dhe grupe numërimit dhe kemi barrën të garantojmë votën e çdo zgjedhësi shqiptar. Rezultati që presim është 77 deri në 80 mandate për Aleancën për Shqipërinë Europiane dhe ky rezultat është sot në Shqipëri. Ditën e diel duhet të jetë në kuti dhe me procesin të garantuar prej gjithë përfaqësuesve të dy partive tona, ky rezultat duhet të dalë i paprekur nga kutia dhe i tillë duhet të dalë.

Ilir Meta: Edhe një votë e vetme është mjaft e rëndësishme për standardin e këtyre zgjedhjeve dhe shpresoj që këtë ta kuptojë Kryeministri aktual, zoti Berisha, i cili duhet të pranojë më në fund zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri, të mos bëhet më një pengesë për to, të frenojë të gjitha strukturat e policisë dhe të shtetit që janë nën trysninë e drejtuesve të Qeverisë dhe të partisë Demokratike, që t’i shërbejnë standardit. Unë shpreh besimin e plotë se Aleanca për Shqipërinë Europiane do të fitojë 80 mandate.

Top Channel