“Ambasadorja” e Podestës për zgjedhje

21/06/2013 00:00

‘Podesta Grup’ e cila lobon në Washington për llogari të Qeverisë
shqiptare, e paguar deri më tani mbi 1 milion euro nga paratë e
takspaguesve shqiptare, ka sjellë si përfaqësuese të saj një ish-zyrtare
të lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Top Channel ka zbuluar se Bay Fang e cila ka punuar që prej vitit 2011 deri në Maj të 2013-ës si zëvëndës asistente në byronë e Europës dhe Euroazinë ka mbërritur në Tiranë 1 javë më parë.

Lajmin e punësimit të saj prej ‘Podesta Grup’ i ka kushtuar një shkrim të veçantë revista amerikane “Foreign Policy” me titull “Podesta Grup rrëmben zëvëndës asistentet e Departamentit të Shtetit”.

Nga artikulli mësohet se Fang e ka lënë Departamentin Amerikan në fund të muajt Maj dhe ka nisur punën më datën 3 Qershor për ‘Podesta Grup’.

Dhe menjëherë disa ditë më pas ajo dërgohet me urgjencë në Shqipëri, në një kohë kur kishte nisur fushata elektorale dhe marrëdhëniet mes Kryeministrit Berisha dhe kryediplomatit amerikan Arvizu kanë hyrë në një klimë të acartë.

Ardhja e saj në Tiranë ngre një sërë pikëpyetjesh për Bay Fang dhe vetë Departamentin Amerikan të Shtetit si ish-punëdhënës i Fang.

Detyra që ka marrë Fang nga punëdhënësi i ri Toni Podesta është një konflikt interesi dhe në kundërshtim me ligjet amerikane për nënpunësit shtëtërorë që lënë detyrat shtetërore.

Ky ligj njihet si “”one-year cooling-off period” (Një periudhë prej një viti ftohje).

Le t’i referohemi ligjit që thotë: “Një vit ndalese përfaqësimi, ndihme apo këshillim të qeverive apo  partive poltike, të huaja në praktikat ndërkombëtare me qëllim influencimin e një vendimi të  marrë nga agjencitë e Departamentit Amerikan. Por nuk ka ndalesë në këshillimin e një corporate ndërkombëtare për qëllime komerciale”.

Ky kufizim, i ashtuquajturi  “një periudhë prej një viti ftohje” përgjithësisht kufizon kontaktet me agjencinë, duke përfshirë kontaktet, që lidhen me legjislacionin e politikave, vendimet e personelit, ose ndonjë çështje tjetër zyrtare.

Kjo është e specifikuar në ligjin 18 U.S.C. 207(d), ku është sanksionuar qartësisht  se i ashtuquajturi  “Një periudhë prej një viti ftohje”, përfshin ish-sekretarët amerikan të shtetit dhe të gjithë ish “punonjësit e nivelit të lartë”, ku padyshim kjo kategori përfshin edhe Bay Fang e cila ka punuar ne nje seksion qe ka patur nen mbikeqyrje edhe Shqiperine ne Departamentin e Shtetit, ndersa tani punon ne Shqiperi per nje krah politik te angazhuar ne nje beteje zgjedhore.

Pikërisht për këtë konflit të pastër interesi të Bay Fang, Top Channel i kërkoi një prononcim  disa ditë më parë zyrës së shtypit në Departamentin Amerikan përfshi Filip Riker, zëvendësndihmëssekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Jonathan More drejtor për Europën Qendrore dhe Jugore dhe ambasadorit Arvizu.

Deri tani Departamenti i Shtetit nuk i eshte përgjigjur interesimit të Top Channel, ndersa ne menyre jo zyrtare eshte thene se kjo çeshtje po diskutohet.

Gjithashu edhe vetë protagonistja e këtij lajmi Bay Fang ende si ka dhënë përgjigje kërkesës së Top Channel për një intervistë në lidhje me këtë çështje. Zonja Fang eshte pare ne hotelet luksoze te Tiranes, ku ka vendosur kontakte me perfaqesues te misioneve te huaja te vezhgimit si edhe me korrespondentet e shtypit nderkombetar, ne kuader te detyres si perfaqesuese e Podestes.

Kush është Bay Fang?

Pas një karriere 11-vjecare në gazetari si korrespondente e çështjeve diplomatike  e gazetës ‘Chicago Tribune’ gjatë luftrave në Afganistan dhe Irak ajo punësohet në vitin 2009 nga DASH si këshilltare komunikimi në Afganistanin jugor.

Më pas ajo kthehet në Washington ku punon për byronë e Euro-Azisë e cila mbulon edhe Shqipërinë.

Ndërsa që prej 3 Qershorit ajo mban rolin e strategjistes në ‘Podesta Grup’.

Top Channel