
Nga sheshi “Nënë Tereza”, i veshur me ngjyrat e Rilindjes, Edi Rama, kandidati i opozitës për kryeministër, në mbyllje të fushatës elektorale për këtë qark, i konceptuar si preludi i dy mitingjeve paralele në Vlorë dhe në Shkodër, mbrëmjen e së premtes, duke përdorur aksent prej “tironsi” deklaroi se ky është miting safi me vendalinj safi, dhe jo miting me robër të mbledhur nëpër autobusa, siç i organizon gjyshi me antiplumb.
Kryesocialisti përdori tre epitete për kryeministrin Berisha, kur tha se tashmë ai është i lodhur, i rraskapitur dhe i mbaruar. Duke iu referuar një mesazhi, që Partia Demokratike u ka dërguar qytetarëve, të cilët i fton për të votuar numrin 44, Rama e akuzoi kryeministrin Berisha për mashtrime.
“Votoni – thotë – projektin e PD-së, që të hapim 250 mijë vende pune. Pse si hape, po i mbylle? Aty ishe, ku i ke? Premtove 160 mijë vende pune, katër vjet më parë, dhe të mungojnë – sipas shifrave zyrtare të Institutit të Statistikave të tua – 51 mijë, pra u ke shqiptarëve borxh 211 mijë vende. Vazhdon… Votoni – thotë – që pagën minimale ta bëjmë 350 dollarë, pagën e mësuesit 700, pensionin 150, ndërkohë që sot, ata që jetojnë me pagë minimale kanë një pyetje, si ta mbërrijnë fundin e muajit dhe me çfarë t’i paguajnë borxhet në listat e ushqimoreve muajin tjetër? Kanë një pyetje edhe mësuesit, pse sot me rrogat, që medemek ua ke rritur, ata blejnë më pak se dje? Apo sepse mendon se nuk e kanë kuptuar, që nga një anë u rrit rrogën dhe nga ana tjetër ua bën me sy çmimeve, që të shkojnë disa herë më shumë nëpërmjet inflacionit”, tha Rama.
Rama, gjatë 21 minutave të fjalës së tij, i ka kushtuar një vëmendje të posaçme çështjeve të mprehta, që lidhen me legalizimet e ndërtimeve pa leje.
“Zotimi im solemn dhe i skuadrës së Rilindjes për Tiranën këtu, por edhe i skuadrës kombëtare të Rilindjes për Shqipërinë, është ky: Jo gjashtë muaj, as një vit, por brenda mandatit të parë, të gjithë ata që kanë ndërtuar shtëpitë e tyre, duke ardhur nga veriu dhe nga jugu, nga fshatra e qytete të varfra, për një jetë më të mirë në kërkim të kësaj Amerike të vogël dhe që sot, akoma nuk i kanë dokumentet që vërtetojnë se këto janë pasuritë e tyre, do të kenë në dorë titullin e pronësisë së patundshme mbi shtëpinë falas”, shtoi Rama.
Referuar premtimit të kryeministrit Berisha, për heqjen e vizave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rama tha se sot shqiptarët e dinë se Amerika ia ka hequr vizën Saliut.
“Unë iu zotohem se, me votën tuaj për Rilindjen, ju kryeqytetasit, pavarësisht prejardhjeve krahinore, pavarësisht përkatësive partiake, pavarësisht përkatësive fetare, pavarësisht moshës dhe gjinisë, do të keni në krah një qeveri, që hallet tuaja do t’i bëjë të vetat, problemet tuaja do t’i ketë të vetat dhe unë do jem pranë jush në çdo përpjekje për t’i zgjidhur hallet dhe problemet”, tha Rama.
Ky ishte mesazhi i ish-kryeministrit Pandeli Majko, që udhëheq listën e socialistëve në Tiranë.
“Të vijnë të trokasin, të premten dhe të shtunën, me pyetjen a do lek? Përgjigjen do ta marrin në datën 23 qershor. 29 është ndryshimi i nesërm, është shpresa, është ëndrra dhe ne jemi sot këtu për të filluar ta besojmë ëndrrën tonë të madhe për ndryshim”, tha Majko.
***
Edi Rama bëri një përshëndetje jo vetëm për banorët e lagjeve kryesore të Tiranës, por edhe për të gjithë ata qytetarë dhe mbështetës, që ishin në Tiranë për të marrë pjesë në këtë miting.
“Përshëndetje për të gjitha ata mbështetës që kanë ardhur me dëshirën e tyre në Tiranë, dhe jo me detyrim, sic bën Kryeministri për punonjësit e shtetit. Ditën e diel me numrin e bekuar 29 ne do t’i çlirojmë të gjithë robërit e katragjyshit me antiplumb, do t’i çlirojmë të gjithë policët, arsimtarët, punonjësit e administratës”, tha Rama.
Sipas Ramës, Berisha ka rrënuar ëndrrën e integrimit, ëndrrën e rimëkëmbjes, ëndrrën e zhvillimit dhe për këtë arsye ndërkombëtarët nuk e besojnë më Kryeministrin e Shqipërisë.
“Kjo është Tirana jonë dhe më 23 qershor, ky qytet do të jetë kryeqyteti i Rilindjes. Tirana do të udhëheqë fitoren e madhe të rilindjes ndaj rrënimit. Ju zotohem se me votën tuaj për Rilindjen, ju kryeqytetasit pavarësisht prejardhjeve krahinore, pavarësisht ndasive partiake, pavarësisht përkatësive fetare do të keni një krah një Qeveri që hallet tuaja, problemet tuaja do t’i ketë të vetat dhe unë do të jem pranë jush në çdo moment”, tha Rama.
Rama: Derë më derë për të rritur pjesëmarrjen në zgjedhje
Para nisjes se mitingut permbylles lideri i Partise Socialiste zhvilloi dy kënd fjale në kryeqytet, në zonën e ‘Ali Demit’ dhe në atë të Tiranës së re.
“Gjithkush prej jush duhet të trokasë derë më derë për të bindur cdo të afërm, cdo familjar për të shkuar të votojë për Rilindjen. Ju siguroj që i gjithë ky mund do të sjellë Rilindje dhe fitorja është e jona”, u shpreh Rama, duke iu kujtuar mbështetësve se së bashku do të festojnë fitoren pasi të mbarojë procesi zgjedhor. Me këtë mesazh Rama është treguar i kujdesshëm që t’iu tërheqë vëmendjen mbështetësve që të përqendrohen si te procesi i votimit ashtu edhe ai i numërimit.
Ndërkohë ditën e fundit, PS do të organizojë dy mitingje paralele në Shkodër dhe në Vlorë, ku priten surpriza për mënyrën e organizimit dhe zhvillimit të tyre.
Gjate dites se sotme, kryetari i PS-se Edi Rama ishte ne Kruje, ku premtoi status te vecante per kete qytet historik.
Top Channel