PDIU mbyll fushatën në Qafë Botë

20/06/2013 01:30

69 vjet pasi rreth 2900 shqiptarë të Çamërisë humbën jetën në fushën e Kllogjerit, pas dëbimit nga shtëpitë e tyre nga ushtritë zerviste, tashmë do të kenë një vend prehje. E sipas të gjitha traditave, hoxhallarët u lutën për shpirtrat tyre.

Shpëtim Idrizi, kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, i cili ishte dhe iniciatori i ndërtimit të kësaj Varreze Monumentale, u shpreh se tashmë një pjesë e amanetit të të parëve është çuar në vend.

“Ne sot plotësuam një amanet njerëzor, duke falur pas 70 vjetësh xhenazen e tyre. Për ne, shqiptarët e Çamërisë, ato e kanë dhënë jetën dje. Sot, ne i falëm xhenazen, si për çdo njeri që lind në këtë botë. Sepse ky vend do të jetë për ne Meka e shqiptarisë”, tha Idrizi.

E më pas, ashtu si çdo vit, të pranishmit nisën marshimin në këmbë, nga Kllogjeri në pikën e kalimit kufitar në Qafë-Botë, aty ku ndahet politikisht Çamëria.

PDIU zgjodhi pikërisht këtë vend për të mbyllur fushatën elektorale, për të kërkuar atë që thuhet dhe në sloganin e tyre: “E duam Shqipërinë të bashkuar”.

“Unë iu garantoj miqtë e mi, se unë dhe 6 deputetët e tjerë të PDIU-së nuk do të rrimë ulur, por në këmbë në Parlamentin e Shqipërisë për të drejtën e Çamërisë. Votoni numrin 50, votoni PDIU, votoni për një parti, e cila do të bëjë realitet amanetin e të parëve tanë, të të gjithë shqiptarëve, nga Preveza në Mollën e Kuqe”, përfundoi Idrizi.

Top Channel