Topi: Kryeministri nuk e njeh rotacionin

13/06/2013 00:00

Gjatë një takimi me banorë të komunës Golem kryetari i FRD-së Bamir Topi
akuzoi partitë e vjetra për mungesën e një politike vizionare. PD dhe
PS me politikën e tyre e kanë lënë vendin jashtë Europës, ndërsa shtoi
se politika dinjitoze dhe e moralshme e FRD-së do ta çojë Shqipërinë
drejt BE-së.

Duke u ndalur në programet zgjedhore të partive të vjetra kryetari Topi nënvizoi se ato çdo katër vite tundin kartën e punësimit dhe legalizimeve ndërkohë që këto premtime deri tani nuk jane mbajtur.

Topi foli dhe për imazhin e qeverisë aktuale duke thënë se ajo plotëson vetëm interesat e rrethit te ngushtë familjar ndërsa theksoi se FRD është parti në shërbim të qytetarëve.

“Kryeministri dhe ministrat që kanë tetë vjet në kolltuqet qeveritare nuk e njohin rrotacionin, fitoren e mbështesin vetëm tek premtimet boshe, ndaj mos u besoni mashtrimeve të tyre zgjedhore”, tha Topi.

Mediu: Zgjidhje e çështjes së pronës

Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu gjatë takimit me elektoratin e tij në Fier, u ndal tek rëndësia e pronës dhe zgjidhja e kësaj çështjeje.

“Cështja e anëtarësimit në BE, më shumë se politike është cështje standardi dhe respektimi i të drejtash. Një nga këto të drejta është çështja e pronës private, prandaj Bashkimi Europian e ka vendosur si një kushtet e padiskutueshme, respektimin e pronës private, biles ka dhënë edhe zgjidhje nëpërmjet vendimit të Gjykatës së Strasburgut”, tha Mediu.

Idrizi kërkon votë patriotike

Kreu i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet Shpëtim Idrizi gjatë takimit në Tropojë kërkoi që të votohet nga të gjithë shqiptarët patriotë.

“E kam fjalën për Vangjel Dulen, i cili shkon në Athinë, na takon ata të ashtuquajtur vorioepiriotë. Unë jam i bindur që do të nisemi nga Tropojë dhe do të bëjmë presion dhe do të rrethojmë këdo me presionin e shqiptarëve sepse ky vend ka zot”, tha Idrizi.

Dule: Qeveria i la rrugët e jugut në gjendje kritike

Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule, ishte në Tepelenë, ku kërkoi mbështetje ndaj koalicionit të majtë për të larguar Tepelenën, siç u shpreh ai, nga lista e bastioneve të varfërisë.

“Kjo fitore, aq më tepër këtu në Tepelenë, duhet të jetë e paprecedent. Dhe jo me arsyetimin që thonë disa, se këtu është bastion i së majtës, por sepse këtu është bastion i varfërisë”, tha Dule.

Gjinushi: T’i japim fund qeverisë së korruptuar

Në Lushnje, kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, shprehu bindjen në fitoren e së majtës, e cila – tha ai – do t’i japë fund qeverisjes më të korruptuar që ka njohur vendi ndonjëherë, duke i  mëshuar qëndresës së partisë, që ai drejton brenda koalicionit opozitar.

“Partia Social-Demokrate është e vetmja parti, që nuk u bë pjesë e pazareve politike në këto 8 vjet, është e vetmja që i qëndroi të majtës në krah në këto 8 vjet opozitë, përballë një qeverisje represive PD-LSI”, tha Gjinushi.

Leskaj: Të shpëtojmë vendin nga rrënimi

Nga Vlora, Valentina Leskaj u bëri apel qytetarëve të shpëtojnë vendin nga rrënimi, duke votuar më 23 qershor Partinë Socialiste.

“Asnjë votë nuk duhet të shkojë jashtë kutive të Partisë Socialiste, apo jashtë kutive të koalicionit të majtë. Çdo votë duhet të shkojë në këto kuti, sepse vetëm këtu është e garantuar e ardhmja e vendit”, u shpreh Leskaj.

Sipas Leskaj, kryeministri Berisha ka zgjedhur strategjinë e shpërndarjes së votës, si e vetmja shpresë për të fituar disa vota më 23 qershor.

Milo: Të ndalim korrupsionin

Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo në takimin me banorët e komunës Synej-Kavajë ka kërkuar që shqiptarët ta votojnë partinë e tij për të ndalur korrupsionin.

“Duhet ta shpëtojmë Shqipërinë nga hajdutët, ky është problemi numër një që ka Shqipëria. Ne duhet ta shpëtojmë nga Shqipërinë nga të korruptuarit dhe ky është problemi numër dy që ka Shqipëria dhe ne duhet t’i japim Shqipërisë një të ardhme evropiane të mbështetur në ligj”, tha Milo.

Ndoka: Do te fitojme serish

Kreu i Partise Demokristiane Nard Ndoka, ka qene ne Elbasan ku dhe ka prezantuar kandidatin per deputet Rezart Kovaci, duke theksuar se koalicioni i djathte do te fitoje serish.

“Në aspektin moral, sot e djathta shqiptare ka shumë më tepër epërsi, ka më shumë besim dhe pa diskutim që ka të gjithë mundësitë që të fitojë edhe një mandat tjetër”, tha Ndoka.

Bode: Investime te reja ne Korçë

Deputeti i Partisë Demokratike, Ridvan Bode, gjate nje takimi me ekektoratin e djathte ne Korce, eshte ndalur tek investimet qe do te kryeje Qeveria ne arsim e shendetesi.

“Në fund të mandatit 2003-2017 paga mesatare në sektorin e arsimit të arrijë në nivelin 700 dollarë. Ne do të vijojmë edhe në mandatin e ardhshëm që të mbështesim investimet e mëtejshëm për përmirësimin e ambienteve të shkollave dhe universiteteve”, tha Bode.

Top Channel