“Shqip”: Platformat përballë njëra-tjetrës

10/06/2013 00:00

Ndërsa të dyja palët premtojnë ulje drastike taksash, punësim dhe rritje të standartit të jetesës, për të ballafaquar programet me njëri-tjetrin, Rudina Xhunga ftoi një ekspertë dhe politikanë në “Shqip” në “Top-Channel”.

Zëvendësministrja e integrimit dhe kandidate për deputete në Tiranë, Grida Duma u vendos përballë kandidates socialiste për deputete, Milena Haritos dhe dy analistëve, Shpëtim Nazarko e Sami Neza.

Problemi i legalizimeve

Në nisjen e debatit, ishte çështja e legalizimeve e para që u vendos në qendër të vëmendjes. “Mes shumë premtimeve të Partisë Socialiste, ai i zgjidhjes së problemit të pronës brenda vitit është më i vështiri për t’u besuar. Të dyja programet flasin për zgjidhjen, por të thuash brenda vitit, është jashtë çdo skenari optimist, pasi kjo është një çështje e mbivendosur që i atribuohet tashmë dekadave. Disa referenca kemi në vende të ngjashme si ne, si Kroacia, që do të ketë ende të pazgjidhur këtë problem kur të anëtarësohet në BE apo Greqia, e cila ende ka probleme prone. Zoti Rama, si të gjithë liderat që bazohen jo tek objektivizimi, thotë ato që njerëzit duan të dëgjojnë dhe të lodhur nga shumë gjëra në jetë, shumë njerëz preferojnë të dëgjojnë përralla, utopi, e kjo është një strategji e kalkuluar. Ajo që nuk është përllogaritur është koha që do të nevojitet për të realizuar këtë ndërgjegjësim, nëse votuesi do ta kuptojë më përpara apo më vonë që kjo nuk është realiste, kjo do të shikohet vetëm në 23 qershor”.

Nga ana e saj, zonja Harito fajësoi qeveritë demokrate të dy mandateve të fundit, për moszgjidhjen e këtij problemi, pavarësisht kohës së bollshme të pasur në dispozicion. “Çështja e legalizimeve është krejtësisht e lidhur me këtë program dhe është interesante që një anëtare e mazhorancës flet për pamundësinë e opoziëts për ta realizuar këtë gjë, ndërsa ka qenë Berisha që e ka premtuar në vitin 2005. Ndaj le të flasim për atë që nuk ka bërë Berisha në këto tetë vjet dhe pastaj për përgjegjësitë e mundësitë e opozitës aktuale, për ta zgjidhur pas zgjedhjeve. Pse nuk është zgjidhur kur ka qenë premtim i dy qeverive rresht, e çdo qeveri duhet të japë llogari për atë që ka bërë, deri këtu nuk dëgjuam asnjë llogarie dhënie. Jam dakord që është edhe problem juridik, por një pjesë e madhe varet nga agjensitë shtetërore, agjensitë e ndryshme të caktuara për zgjidhjen e kësaj çështje, të cilat deri më sot nuk kanë arritur të adresojnë absolutisht në asnjë moment këtë problem”, deklaroi Harito.

Në pikëpamjet e tij mbi procesin e legalizimeve, Neza konsideroi se jo vetëm qeveritë, por edhe të interesuarit direktë për këtë çështje nuk kanë bërë mjaftueshëm për të zgjidhur problemin. “Mbi legalizimet, është detyrë e qeverisë të ndërtojë infrastrukturën, që qytetarët të kenë se ku të trokasin. A ka përgjegjësi për pjesën tjetër shteti, natyrisht që po, e një pjesë e konsiderueshme e njerëzve kanë nisur procedurat e legalizimit, kanë thyer barrierat më të vështira si aplikimet, hartat etj, por nuk kanë aftësi paguese për të përfunduar procesin pasi i përdorin këto para për çështje të tjera. Shumë persona, i kanë shkuar deri tek porta legalizimit, deri tek momenti i pagesë dhe legalizimet qëndrojnë atje, por besoj se infrastruktura është e ndërtuar”, deklaroi Neza.

Në ndërhyrjen e tij në këtë bisedë, Nazarko sugjeroi se: “Për të zgjidhur një problem duhet shkuar në origjinë, e sot katasdrat se si kanë qenë pronat janë kyçur e nuk dalin në sipërfaqe. Gjithë ky problem që kanë krijuar dy partitë e mëdha është i vitit 1991, e ish-komunisti e intelektuali Ramiz Alia tha se do të merrte katër dynymë, për t’i pasur në përdorim që të hani sepse ndryshe, me këtë sistem më vonë nuk do të keni për të ngrënë. Ata që se dëgjuan zaptuan Tiranën, ndërsa pas një viti partitë u zhytën, vodhën pronat e njëri-tjetrit, ngatërruan letrat dhe sot ja ku jemi. Përderisa ke krijuar lesh e li në 20 vjet, nuk e di në ka fuqinë ta bëjë këtë reformë Rama, por nëse arrin të bëjë atë që ka premtuar, që të sigurojë legalizimin origjinal nga regjistrimet italiane, besoj se do t’i jepte një kontribut shumë të madh vendit”.

Në reagimin e saj mbi komentet kundërshtuese, zëvendësministrja Duma e konsideroi procesin e legalizimeve një proces burokratik, ndërsa ritheksoi se ai është i pazgjidhshëm në një kohë të shkurtër, ndaj premtimet e vendosura në programin e “Rilindjes” janë vetëm populizëm. “Njerëzit kanë ardhur nga zonat rurale në zonat urbane, e kanë ndërtuar pa leje. Është keq, por nuk i kthejmë dot njerëzit që kanë zënë troje e procesi administrativ, konflikti që lind nuk është kaq i thjeshtë. Megjithatë, aktualisht bashkia po jep me mijëra legalizime dhe çështja nuk lidhet më me vullnetin politik sot për sot. Është e pamundur ta rregullosh në një vit çështje nëse të gjithë vullnetet të bashkohen. A është bërë mjaft për të zgjidhur këtë çështje, këtë do e gjykojnë shqiptarët në datën 23 qershor, por që kjo nuk zgjidhet në një 1 vit, këtë mund ta them me garanci”, përsëriti zëvendësministrja.

Në pjesën e dytë, përfaqësuesja e Partisë Demokratike dhe zv.ministrja e Integrimit, Grida Duma sulmoi Partisë Socialiste, e cila sipas saj nuk krijon vetë idenë e meritokracisë.

“PS nuk jep idenë e meritokracisë. Mjafton të përmend Arben Malajn për këtë rast. Sa për Kastriot  Islamin dhe të tjerë kanë votuar në emër të mosbllokimit. Islami deshi të kalonte tek PD dhe PD i njohu meritat e tij që nuk u bë bashkë me bllokimin”, tha Duma.

Analisti Shpëtim Nazarko tha se edhe në PS ka një hierarki. Ai u ndal tek situata në vend dhe kritikoi ndarjen administrative që sipas tij, vë në varësi të plotë financiare strukturat vendore: “Unë jam kundër heqjes së Malajt, por edhe PS ka një hierarki. Kjo Shqipëri është një shqipëri e 1985-1990 që marshon me forcat e veta. Kemi një ndarje administrative 400-500 komuna që nuk investojnë dot sepse s’kanë fuqi. Komunat janë të varura nga qeveria, qeveria merr borxhe pa fund, edhe tek biznesi.  Është e gjithë fuqia ekonomike e përqendruar në dorën e një njeriu, e një partie. Tamam si shprehja e kryeministrit hajd të ndërtojmë kapitalizëm me forcat tona”.

Analisti Neza tha se përndryshe nga gjuha kritike, programi i Partisë Socialiste, sipas tij, njeh zhvillimin dhe përparimin që ka bërë vendi, Shqipërinë në gjendje reale.

Përfaqësuesja e PS, Harito u ndal tek programi i PS dhe kritikoi taksën e sheshtë: ”Sot 5 përqind e njerëzve në këtë vend, zotërojnë 50 përqind të pasurive dhe kjo është diferenca që kemi ne me PD. Unë besoj tek ky program. Ishte normale në fillim që pas kolektivizimit të kishim një individualizëm të tepruar, por jo më pas 23 vitesh. Taksë e sheshtë është taksa e vendosur për një administratë të paaftë për të mbledhur taksat. Qeveria nuk ka mbledhur më shumë taksa me taksën e sheshtë. Shtresa e ulët dhe e mesme e mbrojtur krijon zhvillim ekonomik”.

Duma u kundërpërgjigj duke deklaruar se shtetet sociale sot janë ato shtete që kanë forcuar fort kapitalizmin nëpërmjet politikave të djathta:  “Shqipëria nuk ka mbërritur në atë moment sa të marrë kapital nga një klasë e pasur sepse nuk kemi ndonjë klasë të pasur të madhe”, tha ajo.

Në fund, dy palët argumentuan se përse duhej t’i mbështesnin shqiptarët më 23 qershor.

“Të rinjtë duhet të votojnë PD sepse sot lëvizin të lirë, vrapojnë në rrugë, dikur kanë vrapuar në gropa”, tha Duma.

“Do votohet PS sepse kjo qeveri ka shkatërruar klasën e mesme, e ka varfëruar atë, sepse kemi një kryeministër që ka bërë piramidat, ‘97, ka vrarë njerëz në bulevard dhe nuk ka mbajtur përgjegjësi për asnjë nga këto”, deklaroi Harito.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA