“BB6”, për herë të fundit ballë për ballë

10/06/2013 00:00

Konkurrentët e edicionit të gjashtë të Big Brother, “reality show”-t më të ndjekur në Shqipëri, janë mbledhur për një herë të fundit së bashku përpara publikut për të diskutuar rreth eksperiencës së tyre të veçantë dhe momenteve më kulmore brenda shtëpisë së famshme.

Sa kanë qenë vetvetja dhe sa kanë aktruar brenda shtëpisë për të marrë çmimin e madh? Cilat kanë qenë lidhje të vërteta dhe cilat jo. Shumë gjëra janë sqaruar gjatë spektaklit të së dielës mbrëma.

Elona u shpreh për lidhjen në shtëpi të Anaidit dhe Joanës: “Janë njerëzit më hipokritë në lidhje me njëri-tjetrin. Dashuria e tyre ka qenë vetëm poshtë çarçafit.”

E menjëhershme replika e Joanës: “Unë në atë shtëpi nuk kam bërë asgjë më tepër se çfarë bëni ju jashtë shtëpisë.”

Mbrëmjen e së dielës u sqarua edhe marrëdhënia e Shpendit me Eldorën. “Ishte i vetmi person i besueshëm për mua. Më pëlqen karakteri dhe guximi i saj. Këto ditë që jam në Tiranë kam ndenjur vetëm me Eldorën”, tha Shpendi.

Dy protagonistët e këtij edicioni kanë qenë padyshim Anaidi dhe Joana. Dy konkurrentët kanë krijuar edhe një marrëdhënie të veçantë në Big Brother. Një lidhje  e cila mori fund me deklaratën e Anaidit gjatë emisionit Fun Club, ku u shpreh se ishte “single”.  

“U ndava nga Joana sepse do martohesha me të dhe do na shoqëronte në altar Jani”, tha Anaidi kur u pyet pse u nda menjëherë pas daljes nga shtëpia.

Anaidi u shpall fitues i Big Brother 6. Po cila ka qenë loja e tij, e cila e solli deri këtu?

“Jeta ime jashtë shtëpisë nuk është si brenda. Unë në shtëpi kam qenë lojtar dhe kam bërë show”, tha Anaidi.

Ka përfunduar kështu edhe një edicion i suksesshëm i këtij “reality show”, i cili e ka mbajtur publikun të ngulitur pas ekranit të televizorit për mbi 100 ditë.

Për të gjithë ata që janë të interesuar të marrin pjesë në edicionet e ardhshme, audicionet do të fillojnë së shpejti.

Top Channel