“Dashuria e Bjeshkëve” në Shkup

07/06/2013 00:40

Premiera e filmit “Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna 2”, që u shfaq mbrëmjen e së mërkurës në Shkup, ka mbushur sallën e Teatrit shqiptar me adhurues të filmit shqip.

“Më erdhi mirë, që salla ishte e mbushur. Mikpritja dhe interesimi i publikut, mendoj që e ka bërë të vetën. Jam shumë e kënaqur, sepse kur e sheh sallën e mbushur, edhe pse kisha informacione se jo shpesh herë mbushet salla, prandaj dëshiroja që kjo sallë të mbushej më shpesh, për premiera dhe çështje të tjera kulturore”, tha Diellza Kolgeci, aktore.

Përtej kinemasë, regjisori i filmit Ekrem Kryeziu thotë se, shfaqja e kësaj premiere në Shkup ka edhe një rëndësi tjetër, që ka të bëjë me forcimin e lidhjeve kulturore mes shqiptarëve të të gjitha trevave.

“Ardhja jonë në Shkup është shumë e qëllimshme. Me që ky film është bashkëpunim mes firmës ‘Labia’ nga Prishtina dhe Top Channel nga Tirana, dmth janë dy skaje që lidhen dhe mesi i atyre dy skajeve është Shkupi. Nuk mund ta mbaj premierën në Tiranë dhe Prishtinë, nëse nuk e mbaj premierën në Shkup, i bindur se Shkupi ka qenë një vend, ku shqiptarët, para pavarësisë që është shpallur në Vlorë, kanë dashur ta shpallin në Shkup. Jam në ndërtesën e teatrit, ku jam i rrethuar me miq, aktorë, regjisorë, një atmosferë e cila këtij filmi i jep një frymëmarrje tjetër”, tha Ekrem Kryeziu, regjisor.

Krahas Shkupit, premiera e filmit ”Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna 2” do të shfaqet edhe në qytetet e tjera, me shumicë shqiptare në Maqedoni, si në Gostivar, Dibër, Strugë e Tetovë.

Top Channel