Muzika “jazz” në Shqipëri

06/06/2013 17:40

Ai ka zgjedhur një mënyrë krejt të veçantë për të promovuar dokumentarin e tij për muzikën xhaz. Sokol Sejdo, i apasionuar pas kësaj rryme muzikore, ka mbledhur miqtë e tij të ngushtë për të festuar realizimin e filmit të parë dokumentar për xhazin në Shqipëri.

Dokumentari ndalet në disa etapa të zhvillimit të kësaj rryme muzikore në vendin tonë. Fillon me  vitet ‘20-të në qytetet e Shkodrës, Korçës e Tiranës, ndalet në vitet e vështira të komunizmit ku dëshmia kryesore është fesivali i 11-të dhe dënimi që morën muzikantët e atëhershëm dhe vazhdon me xhazin e pas viteve ’90-të.

Ideja e festës për dokumentarin duket se ka surprizuar jo pak miqtë e Sokolit. Adela Mancaku tregon përshtypjet e saj: “Më pëlqeu shumë si ide sepse është si diçka familjare. Vetë xhazi në vendin tonë është familjar pasi janë të paktë muzikantët që e luajnë dhe ambientet ku luhet.”

Emiljano Dhima, një nga miqtë më të ngushtë dhe koleg i Sokolit në bandën e tyre, e përgëzon atë për këtë nismë: “Nuk e prisja që të bëhej diçka kaq festive dhe e këndshme. Është një moment shumë i bukur.”

Kitaristi i grupit, Erjon Meta, ka një dëshirë akoma më të madhe. Ai kërkon që muzika jazz të jetë pjesë e katedrave në Liceun Artistik dhe Univeristetin e Arteve: “Jemi përpjekur të realizojmë aktivitete të lidhura me jazz-in dhe jemi mbledhur për dokumentarin. Tani po pres me padurim që kjo muzikë të futet në muzikat e shkollës.”

Top Channel