Aleksander Cipa – Polemika elektorale për monumentin e “demokracisë” në
Kavajë, mes kryetarit socialist Rama, pasuar edhe nga kryebashkiaku i
majtë i Kavajës në kundërvënie të menjëhershme nga kryeministri Berisha,
rikthen edhe një herë kazusin e konfliktit verbal në komunikimin
elektoral.
Në këtë mënyrë, arsye konflikti nuk është akuza apo kundërakuza për thelbe të qeverisjes, por monumenti me konotacion politiko-partiak. Kavaja po rikthehet edhe një herë në vëmendjen publike si qyteti me monumente pale. Në ecje e sipër përgjatë ditëve të kësaj fushate, po shfaqen përditë e më shumë segmentet dhe kazuset e konfliktit elektoral mes dy partive kryesore, duke riafirmuar sërish përmbajtjen e një bipolariteti elektoral në vend.
Kjo është një logjikë e shëmtuar, e cila rrjedh prej mendësisë së një kaste që operon me mjetet e dyluftimit politik përgjatë një fushate që nevojitej të kishte vetëm konkurrencë programore dhe projektesh. Në fakt, kjo nuk është një histori e riprodhuar befas, ajo është ricikluar kohë pas kohe mes palës së majtë dhe të djathtë, duke i dhënë dorë agresivitetit elektoral verbal dhe duke e bërë edhe më të anashkaluar përmbajtjen e kërkesave krahasuese mes programit të njërës palë dhe tjetrës. Reagimi i kryeministrit Berisha ka qenë ai i njohuri, njësoj si në mendësinë e fjalës së urtë të Kosovës që karakterizon thënien e Lekë Dukagjinit kur i morën armët: “Ma mirë me thon qe Leka, se qe vorri i Lekës”. Në këtë fushë konflikti, kryeministri Berisha ka dhënë provat e lojës së rëndë. Nuk nguron të shkojë në kërcënimin maksimal ndaj kundërshtarit apo protagonistit të një veprimi që nuk i pëlqen apo që agreson “integritetin” e monumenteve partiake të ngritura në kohë apo në momente imponuese prej tij. Tendenca e zotit Berisha për të monumentalizuar imponueshëm historinë e periudhës së vet politike, nuk është më diçka spontane e aq më tepër rastësore. Ajo ka formësuar sidomos gjatë tetë viteve të qeverisjes së vet, një strategji dhe këmbëngulje shpesh irracionale. A nuk ndodhi kështu dikur me monumentet e Azem Hajdarit, të cilat u vunë në një valë aksionesh në hyrje të qyteteve dhe komunave të vendit? Një nderim që imponohej si aksion i qëllimshëm politik, si karshillëk ndaj palës tjetër, të cilën po politikisht e akuzoi si përgjegjëse për krimin tronditës të vrasjes së liderit të Dhjetorit.
Por rikthimi i këtij konflikti për monumentin në Kavajë, kësaj here është një gabim i vetë zotit Rama. Nuk mund të rivendikosh të drejtën urbane në kësi mënyre dhe në moment elektorale për një qytet që tashmë përjeton sfidën e zgjedhjes përkundër një pale partiake që kishte vetërënë në statusin e të qenët në bastionin e vet. Deklarata e zotit Rama se: “Në vend të dy gishtave do të vëmë një shatërvan spektakolar” dhe pasimi mbështetës i kryebashkiakut të majtë Roshi në qytet se: “Do ta heqim me helikopter (“do ta marr me qira, me lekët e xhepit tim. I ka hallall” e do ta çojmë para Kryeministrisë”, janë në vetvete një përdorim pa leverdi i armës që di më shumë ta përdorë politikani Berisha. Në kësi përballjesh mes zotit Rama dhe zotit Berisha, ngjet si në batutën e komedisë së Shekspirit tek “Nata e një ëndrre vere”: Ti mirë e përdor krahun në luftim/unë i kam këmbët të shpejta për vrapim”. Besnik i logjikës së vet kërcënuese, zoti Berisha i është përgjigjur menjëherë si kryesocialistit Rama, ashtu edhe kryebashkiakut të majtë sfidant në Kavajë: “Ky është sheshi i historisë, monumenti është historik dhe po deklaroj: mjerë ai që do të guxojë ta prekë. Ty që të tmerron përmendorja e heroizmit të Kavajës dhe shqiptarëve, sikur të imagjinosh një monument të bërë copa, do imagjinosh veten tënde pa këpucë i zbathur duke ecur mbi ato copa”.
Mjaftoi kaq replikë e shpërndarë nga i njëjti shesh Kavaje, në ditë të ndryshme nga dy protagonistët e përballjes së tanishme elektorale dhe shumëkush të rilexojë se sa afër është konflikti për monumentet në këtë vend. Ky riciklim i historisë së monumenteve që ndajnë palët, në vetvete ridëshmon se sa seriozisht duhet marrë kultura dhe ndërgjegjja konfliktuale e palëve. Është një ndër investimet më serioze të dasisë në tri kohë (të së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes) që ka realizuar politika bipolare në këtë vend dhe që ka lidhje me monumentet me konotacione partiake. Këtë farë dasimi e ka mbjellë me devotshmëri gjatë periudhës së gjatë politike zoti Berisha, duke e ripërdorur atë në shumicën e herëve si alibi dhe në pak raste si justifikim të antikomunizmit të vet propagandistik. Por ky gabim serioz nuk mund të zhbëhet me të njëjtën formë imponimi. Zoti Rama, duke e deklaruar zëvendësimin e një monumenti të tillë me një objekt tjetër, ka gabuar padashur, duke dëshmuar se nuk respekton paraprakisht pavarësinë e vendimmarrjes së pushtetit vendor, Këshillit Bashkiak dhe të drejtën vetëvendosëse të qytetarëve. Kjo mënyrë riciklon mendësinë aq të kritikuar dhe modelin e kundërshtarit të tij politik, sikundër e quan “gjyshit me antiplumb”. Zoti Rama nuk mund ta “presë” simbolikën e përshëndetjes me dy gishta të zotit Berisha, duke u marrë me monumentin specifik në Kavajë, por duke mundësuar triumfin e tij elektoral mbi kundërshtarin Berisha, i cili lodhjen paralele të dy gishtave me kohëzgjatjen e qeverisjes, po e shndërron në argument logjik dhe dialektik. Kjo betejë elektorale me kësi monumentesh, nuk ka përmbajtje reforme dhe sidomos nuk merret në vlerën e vet reformuese të kritereve mbi të cilat vendoset monumentalizimi dhe respekti për historinë politike në këtë vend. Kjo kulturë e munguar në vendin tonë, rikonfirmon mungesën edhe për të ardhmen, pra gjatë mandatit të ardhëm, në vend. Nuk ka modele të përngjashme të këtij gabimi në shumicën e vendeve fqinje me ne. Ndërkohë që në vendet e BE-së, Britani apo SHBA, në kulturën e marrëdhënies bipolare politike, është kapërcyer qysh në zanafillë një mendësi dhe kulturë e tillë dasimi. Kur në Parlamentin britanik u vendos shtatorja e ish-kryeministrit Çurçill dhe është lënë në dispozicion piedestali për Theçerin, askush ndër palët nuk çeli një betejë polemikash dhe konfliktesh, edhe pse mes laburistëve dhe konservatorëve ndahen pikëpamje të ndryshme. Mirëpo vlerësimi realist për historinë që bënë protagonistët, është lënë në dorë të sovranit. Në këtë vend, sovrani ekziston si koncept, por nuk dëshmohet si real. Këtë mungesë reale të shfaqjes dhe shprehjes së tij, e keqpërdorin protagonistët kryesues të partive dhe sidomos kryeqeverisësit tanë, ata që janë dhe ata që pretendojnë të vijnë. Në këtë mënyrë historia politike vijon jo vetëm si brendi tranzicioni, por edhe si kulturë e monumenteve, që i ngre një palë dhe i zhvendos pala tjetër. Modeli më i shëmtuar dhe më dasimbjellës është ai i shtatores së “Heronjve të Vigut” në Shkodër apo më tronditshëm, historia e spostimeve për shkaqe tekash dhe jo kriteresh të shumë monumenteve me meritokraci historike nëpër qytetet dhe kryeqendrat tona. Një politikë që mban hapur kapitujt e konfliktit për monumentet, jeton krizën e besimit për përkohësi dhe për monumentalizim të veprave të veta në të ardhmen. Ndërsa konflikti për monumentet me konotacion partiak, është dhuna për kotësitë e investuara, në jo pak raste, me kosto të shumëfishtë. Këtë dhunë të ripërsëritur, e ushtron politika mbi inteligjencën e qytetarëve dhe të drejtën e tyre. Njëra prej dy palëve duhet të largohet urgjentisht prej këtij konflikti elektoral, pasi nuk rrezikon monumentet e palës, por përdor dhe përdhos padashur, vlerën kulturore të monumenteve historike në tërësi.
Gazeta “Shqip”
Top Channel