“Tallja me përmbytjet e Shkodrës”

30/05/2013 00:00

Për Edi Ramën ndalesa e parë e turit elektoral në qarkun e Shkodrës
ishte komuna e Bushatit. Krahas prezantimit të përmbajtjes së programit
të PS për fshatin, duke folur politikisht Rama falenderoi banorët e
kësaj zone për mesazhin që ata po i japin kryetares së Kuvendit Topalli
dhe kreut të Qeverisë Berisha për t’i ndërshkuar me votë.

“Kemi një program për t’i dhënë mundësi çdokujt që jeton me tokën që të marrë çertifikatën e tokës, që ka 20 vjet që ua mohon Saliu.Do ta heqim akcizën e naftës, do ta heqim taksën e qarkullimit të naftës, do të investojmë 160 milionë dollarë për ujin në parcelë. Njëkohësisht do të rindërtojmë sistemin e kullimit që toka të mos përmbytet më.Në 23 qershor marrim përsipër ta nxjerrim këtë vend nga varfëria dhe të ndalim papunësinë”, tha Rama.

Takimet e paradites të kryesocialitit Rama vijuan në komunën Oblike, nga ku deklaroi se tanimë vota sy mbyllur e Shkodrës ka marrë fund dhe se tani edhe Shkodra kërkon rilindje.

“Pas premtimeve kanë ardhur përmbytjet, pas përmbytjeve ka ardhur premtimi për dëmshpërblim dhe pas premtimit për dëmshpërblim ka ardhur premtimi tjetër…pas përmbytjes tjetër ka ardhur premtimi tjetër për dëmshpërblim dhe pas premtimit tjetër për dëshmpërblim ka ardhur përmbytja tjetër dhe tek përmbytja tjetër ata nuk kanë ardhur më. Bujqësia dhe blegtoria do të jenë prioritet themelor i ynë. Ne do të bëjmë një ministri të posaçme vetëm për fshatin, Ministrinë e Zhvillimit Rural”, tha Rama.

Top Channel