Të dhënat e fundit zyrtare dëshmojnë se tregu i punës ka qenë i dobët në tremujorin e parë të vitit, duke pasqyruar kushtet e vështira të ekonomisë.
Instituti i Statistikave raportoi se në periudhën janar-mars, numri i të punësuarve në ekonomi, u rrit në total me rreth 3 mijë vetë.
Kjo është shifra më e ulët që nga tremujori i dytë i vitit të kaluar. Të dhënat tregojnë se, punësimet e reja kanë ardhur të gjitha nga biznesi.
Ndërsa numri i të punësuarve në administratë dhe sektorin bujqësor ka ka mbetur i pandryshuar me atë të tremujorit të fundit të 2012-ës.
Shtesa prej 3 mijë vetësh ka qenë e pamjaftueshme as për të kompesuar rritjen e forcës puntore, pra të rinjve që hyjnë në moshë pune.
Rrjedhimisht norma zyrtare e papunësisë ka mbetur e pandryshuar në 12.8 për qind. Ndonëse me ritme të ulta, sipas shifrave zyrtare biznesi privat ka vazhduar të shtojë vende pune edhe gjatë vitit të kaluar që ishte një nga më të vështirët e ekonomisë shqiptare që nga 1997.
Sipas “Instat”, krahasuar me tremujorin e parë, të vitit të kaluar, numri i të punësuarve në sektorin privat jobujqësor është rritur me 18 mijë vetë, që sërish mbetet një shifër e zbehtë për të ulur papunësinë.
Top Channel