Zhvillohen zgjedhjet lokale në Itali

26/05/2013 19:00

Në Itali po zhvillohen zgjedhjet lokale, që konsiderohen një test i rëndësishëm për qeverinë.

Në qendër të vëmendjes është gara për Romën, ku përballet kryebashkiaku Xhani Alemano, përfaqësues i partisë së qendrës së djathtë, “Populli i Lirisë”, i Silvio Berluskonit, dhe Injacio Marino, kandidat i Partisë Demokratike, të qendrës së majtë.

Kjo forcë e fundit politike, e cila ka një sekretar të ri, Guglielmo Epifanin, i sheh këto votime si një provë të madhe.

Nga njëra anë duhet të përballojë zhgënjimin e votuesve të majtë, për marrëveshjen me Berluskonin për krijimin e qeverisë me bazë të gjerë, por nga ana tjetër duhet edhe t’i garantojë stabilitet qeverisë së kryesuar nga Enrico Letta.

Në mbyllje të fushatës elektorale, mitingjet e organizuara në Romë nga të dyja palët panë një pjesëmarrje shumë të ulët, ndaj frika është se ky është sinjal i një abstenimi masiv.

Zgjedhjet po zhvillohen në 563 komuna, përfshirë Ankonën, Breshian, Pizën dhe Sienën.

Në Romë kryeson Injacio Marino me dy pikë. Kryebashkiaku Alemano kërkon një mandat të dytë. E ka mbajtur këtë post prej vitit 2008 dhe ka denoncuar “rrënimin që i është lënë si trashëgimi” nga paraardhësit e majtë, që kanë qeverisur Romën përgjatë 20 viteve.

Ai shpjegoi se “sistemoi llogaritë publike, përdori mekanizma që shtuan turizmin dhe dëboi 61 mijë romë”. Ish-kirurgu, Injacio Marino, u zotua se “ai do t’i japë kapitalit një sistem më transparent të menaxhimit financiar, duke akuzuar kundërshtarët se kanë fshehur shkallën e problemeve të borxhit të administratës”.

Gjithashtu, deklaroi se do të përmirësojë transportin publik dhe do t’i japë 10 mijë të rinjve të papunësuar, që kanë kryer trajnime, 500 euro në muaj. Kandidati i tretë për kryebashkiakun e Romës është Marcello de Vito, i “Lëvizjes Pesë Yjet”, të Bepe Grillos, që synon të përforcojë idenë se forca, që ai drejton, është më e madhja në Itali.

Nëse asnjë nga 19 kandidatët në Romë nuk fiton 50% të votave, dy kandidatët kryesues do të përballen në raundin e dytë, i cili do të zhvillohet më 9-10 qershor. Kutitë e votimit do të mbyllen në orën 22:00 të së dielës dhe do të rihapen të hënën në orën 07:00 të mëngjesit.

Itali, kandidatë shqiptarë në zgjedhje
U përkasin forcave të ndryshme dhe konkurrojnë në disa rajone

Në këto zgjedhje lokale, që përfshijnë rreth 6 milionë e 800 mijë votues, ka edhe disa kandidatë shqiptarë.

Ata i përkasin forcave të ndryshme politike dhe janë të pranishëm në disa zona të vendit. Iliriana Ishmi Pajuni, në veri, Anisa Dedej, në Imperia, Fatbardha Borshi, me “Lëvizjen 5 Yjet”, në jug të vendit.

Në Romë, kandidati shqiptar është Edmond Godo, i cili kandidon me të majtën, në një prej minibashkive më të rëndësishme, sepse përfshin qendrën e kryeqytetit. Ai jeton prej 22 vjetësh në Romë, ku është diplomuar për sociologji dhe ka qenë i deleguari i posaçëm për politikat e Turizmit, për qendrën historike të Romës.

Prej gati 10 vjetësh, ai përfaqëson komunitetin shqiptar në Këshillin e posaçëm të Komunës së Romës, detyrë që mbulon edhe sot e kësaj dite.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA