“Apple” mbrohet ndaj akuzës për evazion

22/05/2013 01:35

Gjiganti i teknologjisë “Apple” u mbrojt ndaj akuzave, se ka shmangur pagimin e taksave për dhjetra-miliarda dollarë fitime, duke thënë se i ka shlyer të gjithë detyrimet e veta, ashtu siç i dikton ligji.

Përpara komisionit hetimor të Senatit, shefi ekzekutiv Tim Cook tha se vitin e kaluar, “Apple” i ka paguar Thesarit amerikan 6 miliardë dollarë.

“Apple është kthyer në koorporatën më të madhe taksapaguese në Amerikë. Vitin e kaluar, tatimi ynë ka qenë në masën 30,5% dhe kemi derdhur në Thesar rreth 6 miliardë dollarë, që do të thotë më shumë se 16 milionë dollarë në ditë. Këtë vit, mund të paguajmë akoma më shumë. Ne, jo vetëm që zbatojmë ligjin, por jemi plotësisht në linjë me frymën e tij”, tha Tim Cook, drejtor ekzekutiv i “Apple”.

Shkak i ngërçit janë bërë pretendimet se kompania ka shmangur miliarda dollarë taksa, përmes krijimit të entiteteve jashtë vendit.

Sipas hetuesve të Kongresit, detyrimet e saj tatimore do të mbërrinin në gati 9 miliardë dollarë, po të mos përfitonte ligjërisht nga dispozitat e kodit të taksave, që lejon dërgimin e një pjese të të ardhurave në një llogari në Irlandë.

Cook i tha komisionit se çështja e taksave është “mjaft komplekse”, por shtoi se ai nuk e konsideron të padrejtë, që kompania e vet ta pakësojë shumën e taksave që duhet të paguante, duke përdorur llogari bankare jashtë vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA