24 maj, fushata hyn në legalitet

22/05/2013 19:55

Pavarësisht intensitetit të lartë të aktiviteteve politike prej më shumë se një muaji, zyrtarisht fushata elektorale nis në datën 24 maj.

Pas konfuzionit të krijuar me datat se kur nis fushata, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konfirmon zyrtarisht fillimin e saj ditën e premte.

Kodi Zgjedhor thotë se fushata zgjedhore fillon 30 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 24 orë përpara datës së zgjedhjeve, në këtë rast mesnatën e 21 qershorit.

Dita e fillimit të fushatës zgjedhore përkon edhe me shpërndarjen e Kuvendit, që ligji e përcakton nga 45 ditë si afatin maksimal, deri në 30 ditë afatin minimal.

Por një vendim i Kuvendit ka përcaktuar datën 25 maj si ditën e shpërndarjes zyrtare të Kuvendit dhe fundin e kësaj legjislature.

Me fillimin e fushatës zgjedhore, ditën e premte, nis për operatorët radio-televizivë monitorimi i transmetimeve televizive të aktiviteteve politike, që ligji e përcakton të jetë i barabartë për të gjithë, i bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të fundit, në 2009.

Megjithë këto paracaktime ligjore, forcat politike janë treguar të paduruara për të çelur fushatën para datës 24.

Partia Demokratike zhvilloi mitingun hapës në 13 maj në sheshin Nënë Tereza, 11 ditë përpara afatit ligjor, ndërsa Partia Socialiste pas një serie mitingjesh prezantimi nëpër rrethe, që staruan me takimet e Durrësit dhe Shkodrës, do të mbajë mitingun hapës të enjten në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në Tiranë.

Fillimi i parakohshëm i fushatës, përveç se ka paralizuar gjithë aktivitetin institucional në vend dhe ka tërhequr vëmendjen e madhe të opinionit publik, dëshmon edhe njëherë për politizimin e skajshëm të shoqërisë shqiptare.

Top Channel