”Vendi drejt humnerës financiare”

21/05/2013 00:00

Duke analizuar të dhënat më të fundit zyrtare që vinë nga sektori ekonomisë, kreu i PS, Edi Rama, deklaroi se kryeministri Berisha është duke e çuar vendit drejt një humnere financiare.

”Jam sot këtu për t`iu thënë disa të vërteta dramatike që bazohen në shifrat zyrtare dhe ato janë shumë larg realitetit mbytës për sipërmarrjen e madhe dhe të vogël në Shqipëri. Që prej janarit të 2011 janë mbyllur 19 mijë biznese, që do të thotë mbyllen 23 biznese në ditë, ose 1 në orë. Ndërkohë, të dhënat fiskale të 4 mujorit tregojnë se të ardhurat në buxhet nga TVSH, që është treguesi më domethënës, janë më të ulta në 5 vitet e fundit. Janë edhe më të ulta sesa në 2009, kur kjo qeveri grabiti votat dhe i dha vetes një mandat të dytë, ndërkohë që vetëm prej inflacionit duhet të ishte 10 përqind më shumë. Ekonomia ka 5 vjet që nuk rritet asnjë milimetër, por përkundrazi tkurret”, deklaroi Rama.

Nuk bën përjashtim nga kjo situatë tha Rama edhe biznesi i vogël që sipas tij po shkon çdo ditë drejt rrënimit, ndërsa të ardhurat  nga taksat janë më të ultat e këtyre viteve.

”Biznesi i vogël është në rrugën e rrënimit të mëtejshëm, ku merret zvarrë prej vitesh nga kjo qeveri dhe po shkatërrohet çdo ditë. 27.4 përqind, thuajse 1/3 më pak të ardhura nga taksa e biznesit të vogël, sesa në 2009. Një rënie e tmerrshme, që tregon rrënimin e biznesit të vogël në Shqipëri. Vlera e shtuar mbi xhirot dhe xhiroja e biznesit të vogël që ka pasur rënie, tregojnë se gjendja e biznesit të vogël është dramatike”, shtoi kandidati për kryeministrin e ardhshëm të Shqipërisë.

Ndryshimi kësaj situate theksoi Rama ka një zgjidhje. Ajo është ndëshkimi i keqqeverisjes së Berishës me votë për t’i hapur rrugë “Rilindjes” së ekonomisë shqiptare falë një plani të detajuar që ofron alternative socialiste.

“Ekonomia duhet të rilindë duke filluar nga rilindja e biznesit të vogël. Ne do vendosim lirinë e konkurrencës në rrugën e sipërmarrjes së madhe në 100 ditët e para të qeverisjes”, premtoi Rama.

Top Channel