Sonte “One Catunar Show”

18/05/2013 00:00

Aktori Besart Kallaku njihet më së shumti prej roleve të tij në spektaklin e humorit “Portokalli”, por këtë radhë ai prezantohet  përpara publikut krejt i vetëm në shfaqjen e tij më të re” One Catunar Show”.

Pjesa vjen si premierë në sallen e Universitetit të Arteve në kryeqytet këtë të shtunë.

“Shfaqja Turbo Albania One Catunar Show, sjell një gjendje aktuale të Shqipërisë, si jeta sociale, si jeta ekonomike, ashtu edhe politike. Është Shqipëria e parë në sytë e një katunari. Përballja e tij me metropolin dhe metropoli përballë tij”, deklaron aktori dhe skenaristi i shfaqjes, Besart Kallaku.

Regjisori i shfaqjes Altin Basha shprehet se me anë të humorit,  shfaqja  ironizon realitetin.

“Turbo Albania është një stand up komedi që në qendër ka përplasjen e mentaliteteve me ndryshimet sociale që kanë ndodhur në Shqipëri. Ky është pjesë e një projekti të madh që Digitalb ka ndërmarrë për të ndihmuar dhe prodhuar këtë zhanër të ri komik, i cili mesa duket e gjen publikun e tij edhe në Shqipëri. Padyshim që kërkon talent, vullnet dhe energji të madhe për të përballuar për 70 minuta publikun i vetëm, por të jep mundësinë që të shpalosësh të gjithë arsenalin e mundshëm të një komiku të talentuar, sic edhe Besarti është”, thotë regjisori Altin Basha.

Skenografia e Iliriana Bashës, me pamje të natyrës së paprekur nga dhuna e ndërtimeve dhe betonit shërben për të theksuar më tepër idetë e sinqerta të personazhit mbi cështje të caktuara sociale.

Skenari i shkruar nga Erion Isai dhe Besart Kallakut bazohet mbi situata reale. Ngjarjet ndjekin një rrjedhë kronologjike ku rrëfehet përballja e personazhit me fenomenet sociale, politike dhe njerëzore që ndërtojnë tablonë e një qyteti të madh.

Top Channel