Nëna i kërkon falje fëmijëve nga burgu

16/05/2013 18:35

Enkelejda Topi është një zonjë 38-vjeçare e cila vuan dënimin në burgun  e grave 325.

Nënë e 4 fëmijëve, 3 vjazave dhe një djali. Më e madhja 23 vjeç ndërsa më i vogli djali 9 vjeç.

Është dënuar me 6 vite heqje lirie për trafik të lendëve narkotike. i duket e largët dita në të cilën ka hyrë këtu brenda dhe shumë gjëra në perceptimin e saj kanë ndryshuar.

“Momenti i  pare kur u hap porta e burgut nuk ishte siç e mendoja, nuk kishte zymtëesinë që imagjinoja dhe u ambientova me shoqet e dhomes.Megjithatë, gjëja më e rëndë që u ndava nga fëmijët, do të ndahesha nga djali i vogël gjashtë vjeç që kishte ende shumë nevojë për mua”, tregon Enkelejda, për emisionin e “Pasdites” në “Top-Channel”.

Vështirësitë e fillimit ishin të mëdha. Largimi nga fëmijët ishte gjëja që e lëndonte më shume.

“Me pengonin femija, me mungonin. Zgjohesha natën e trembur duke menduar ku janë fëmijët e shikoja shoqet e dhomes dhe jo femijet. Kjo ishte gjëja më e rëndë, mungesa me të cilën nuk mund të mësohem dot kurrë”, vazhdon rrëfimin e dramës së saj znj. Topi.

Enkelejda ndjek disa kurse të cilat ofrohen në burg, siç eshte kurso për prindërimin në distancë, babysiter, etj. “Aktivizohem ne shume gjera qe te harroj qe jam ne kete vend. Sa do të doja ta kisha rimenduar e mos të arrija deri ketu, por njeriu gabon”, thotë e penduar 38-vjeçarja.

Përpiqet të jetë pjesë e jetës së fëmijëve, duke perfitur edhe nga lehtësirat që krijohen në burg.

“Me ka renduar shume burgosja, por jam prezente ne jeten e tyre. i marr ne telefon në  7 e 30, pastaj kur kthehen nga shkolla, pasi deri ne 2 e kemi te aprovuar qe mund te flasin me femijet. Djali eshte natyre me ndryshe, është më i ndjeshëm. i mungon prania ime dhe pavarësisht se të tjerët e mbajnë afër, e ndien mungesën time dhe qan gjithmonë në takimet 2-orëshe që bëjmë katër herë në muaj. E mbajmë me shpresë duke i thënë që edhe pak do të dal”, vazhdon rrëfimin e saj të dhimshëm nga brenda burgut 38-vjeçarja.

Por, pavarësisht kësaj ajo e di se do mungoje në shumë faza të rëndësishme të jetës së fëmijëve të saj.

“Rasti i fundit ishte kur djali mbaroi festen e abetares e nuk e kishte nenem prane”, tregon ajo.

Ne çdo takim, Enkelejda nuk harron t’u kerkoje falje fëmijëve që do të mungojë edhe disa kohë në jetën e tyre.

“U kerkoj falje fëmijëve te mi me shpirt dhe zemer qe po i lë ne pritje qe une te kthehem. Nuk gjej fjalë për t’i kërkuar falje fëmijëve të mi. E di që duhet t’i kërkoj falje për shumë gjëra, për shumë drejtime që kanë pasur nevojë për mua, gjatë kohës që nuk kam qenë atje për ta”, thotë e prekur Enkelejda.

Duhen edhe 2 vjet e dhjetë muaj për të shijuar lirinë me fëmijët e saj e bashkëshortin dhe Enkelejda është duke numëruar ditët mbrapsh…

Top Channel