Autoritetet mjekësore në Francë janë vendosur në alarm nga zbulimi i një virusi të ri vdekjeprurës, i cili regjistroi një viktimë të re në vend.
Virusi i rrezikshëm ka të njëjtat simptoma të një ftohje të zakonshme, por vepron duke u shoqëruar me një përkeqësim shumë më të shpejtë të gjendjes shëndetësore, deri në shkaktimin e një insuficence respiratore apo kolapsi renal fatal brenda disa ditësh nga infektimi.
”Koronavirusi” është zbuluar vetëm së fundmi tek njerëzit dhe rastet e deritanishme ishin të përqendruara në Lindjen e Mesme, veçanërisht në Arabinë Saudite.
Më parë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë edhe ajo alarmin për këtë virus, i cili ka një shkallë vdekshmërie tepër të lartë.
Midis 31 rasteve të konfirmuara deri tani si të prekur nga sëmundja në të gjithë botën, 18 pacientë kanë ndërruar jetë.
Dyshohet se fataliteti mund të jetë edhe më i lartë, me raste të tjera që nuk janë raportuar apo janë keqinterpretuar si një virus i thjeshtë.
Viktima e koronavirusit në Francë ishte kthyer vetëm së fundmi nga një udhëtim në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ndërkohë, OBSH është duke hetuar arsyet se përse sëmundja është e përqendruar kryesisht në Lindjen e Mesme, diçka për të cilën ende mungon një shpjegim.
Ndonëse disa viruse të tjera të rrezikshme janë përhapur në vitet e fundit, asnjëri nuk ka pasur “potencialin shkatërrimtar” të koronavirusit.
Në vitin 2004, kur përhapja e SARS-it vendosi në alarm autoritetet mjekësore botërore, shkalla e vdekshmërisë së sëmundjes ishte rreth 10%, me 800 vdekje në rreth 8 mijë raste të diagnostikuara.
Top Channel