Sikurse edhe vitet e shkuara, 5 maj 2013, dita kur kujtohen ata mijëra shqiptarë dhe shqiptare që dhanë jetën duke iu kundërvënë pushtimit fashist, politika shqiptare u përkul përpara tyre e ndarë në të djathtë e të majtë.

Të parët që vendosën kurora me lule ishin Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i cili u rreshtua përpara monumentit Nënë-Shqipëri, së bashku me kryeministrin Berisha, kryetaren e Kuvendit, Topalli dhe kryebashkiakun e Tiranës, Basha.

”Cdo shqiptar përulet me nderimin më të madh përpara vajzave e djemve, burra e gra, që me sakrificën e tyre sublime bënë të mundur që shqiptarët sot t’i nderojnë në liri, e që Shqipëria të jetë anëtare e aleancës më të fuqishme të lirisë së të gjitha kohërave”, deklaroi kryeministri Berisha.

Më pas, kryeministri Berisha vizitoi familjen e dëshmorit të demokracisë, Azem Hajdari dhe atë të të dëshmorit Idriz Hoxha.

Ndryshe nga vitet e shkuara, e majta nderoi të rënët e kombit e bashkuar. Edi Rama dhe Ilir Meta, pasuar nga figurat më të larta të PS dhe LSI-s kryen homazhet e rastit.

Nuk munguan në kremtimin e kësaj date edhe një grup mbështetësit të Partisë Komuniste, së bashku me një grup përfaqësuesish të Aleancës Kuq e Zi.

Top Channel