FRD: Njerëzit tanë po hiqen nga puna

03/05/2013 00:00

Fryma e Re Demokratike denoncoi shkarkimet politike nga puna të anëtarëve apo kandidatëve potencialë për të qenë deputetë në zgjedhjet e 23 qershorit me ngjyrat e kësaj partie.

FRD thotë se të paktën 15 raste të mbështetësve të saj të shkarkuar janë regjistruar vetëm javën e fundit, në prag dhe pas kuvendit të parë të kësaj partie. FRD i cilësoi këto lëvizje si forma presioni e shantazhi që bien ndesh me parimet demokratike dhe që shkelin Kushtetutën dhe të gjithë legjislacionin vendas.

“Vetëm gjatë javës së fundit, në prag dhe pas zhvillimit të Kuvendit të Parë të Frymës së Re Demokratike, janë konstatuar dhe denoncuar nga strukturat e FRD-së në gjithë vendin, të paktën 15 raste të shkarkimeve politike nga puna të anëtarëve, drejtuesve apo kandidatëve potencialë të FRD-së për në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Ky fenomen shumë i përhapur është në kundërshtim të plotë me parimet e demokracisë, me legjislacionin në fuqi, me Kushtetutën dhe nevojat jetike të vendit për konkurencën e ndershme dhe demokratike. Metodat e presionit dhe shantazhit, të kërcënimit me vendin e punës, apo me ndëshkim administrativ të anëtarëve apo familjarëve përbëjnë një dukuri që të kujton regjimin e vjetër që shqiptarët duhet ta kishin lënë pas 22 vite më parë”, thuhet në deklaratën e FRD-së.

Top Channel