Ata ishin një çift perfekt. Me shumë ëndrra për një familje të madhe. Pas dy vitesh martesë, kishin shijuar ardhjen ëngjëllore të Deas dhe ende pa mbushur vitin e vogla, prisnin me padurim lindjen e Aronit.
Ishte pikërisht 6 dhjetori i vitit 2008. Milena, një nënë që po përjetonte emocionet e lindjes se te birit në maternitet. Genti, një baba që me padurim priste ardhjen në jetë të djalit të shumëdëshiruar. Por, që në fakt nuk arriti kurrë ta shihte. Pasi po në të njëjtën ditë, u nda papritur nga jeta nga një infarkt në zemër në moshën 36-vjeçare.
Një humbje e madhe për Milenën, e cila kishte në krah deri atë ditë bashkëshortin ideal me të cilin ishte dashuruar shumë vite më parë e sapo kishte nisur të ngrinte familjen e ëndërruar prej të dyve.
Një humbje e madhe për Dean 11-muajshe që ende pa mbushur vitin do të ndahej nga përkëdheljet dhe shëtitjet e gjata me të atin.
Një humbje e madhe për Aronin që s’arriti kurrë ta shihte babain që mezi priste të luante futboll me të.
Që nga 6 dhjetori i vitit 2008, janë vetëm ata të tre. Dea tashmë është 5 vjeç. Aroni pak më shumë se katër. Milena sapo ka mbushur 33.
Një familje e vogël pa Gentin, e megjithatë e madhe për nga dashuria dhe dëshira për të qenë të lumtur. Një mision që Milena e ka marrë përsipër që nga ai moment në maternitet ku pas lotëve të gëzimit për lindjen e Aronit, provoi shijen e hidhur të lotëve për humbjen e bashkëshortit.
Lotë që fëmijët e saj s’i shohin kurrë në sytë e të ëmës, që i ka premtuar vetes që pavarësisht humbjes së të atit, të vegjlit e saj do të rriten gjithnjë të qeshur.
Top Channel