Kriza, bie fuqia blerëse

01/05/2013 00:00

Rënia e fuqisë blerëse në treg po jep efekt në rënien e të ardhurave të
biznesit, veçanërisht atij që prodhon për konsumin vendas.

“Rënia e konsumit, e cila reflektohet edhe në rënie të të ardhurave nga biznesi vendas në buxhetin e shtetit mund të shkojë deri në shifrën 10 për qind. Kjo rënie vërehet në të gjithë bizneset prodhuese vendase, veçanërisht në ato të cilat janë të destinuara për konsumin vendas”, thotë Alban Zusi, nga Qendra e Klasterave të Biznesit.

Ulja e prodhimit po con në ulje të numrit të të punësuarve, një cikël negativ që do të reflektohet në rënie të mëtejshme të fuqisë blerëse. Në këto kushte, sipërmarrësit kërkojnë rishikimin e taksave që rrisin në mënyrë artificiale koston e prodhimit vendas.

“Taksat mbi lëndët e para, të cilat në fakt janë konceptuar për të mbrojtur prodhimin vendas, por nuk mbrojnë absolutisht prodhimin vendas. Po kështu është TVSH-ja mbi produktet agro-industriale, e cila duke qenë 6 për qind në blerje dhe 20 për qind në shitje, në fakt po sillet si një taksë mbi prodhimin vendas, duke i rritur artificialisht kostot e prodhimit vendas dhe duke e bërë atë jokonkurrues në momentin që ai shitet në mënyrë formale në rrjetet e supermarketeve”, tha Zusi.

Duke iu referuar aksionit politik për lehtësimin e biznesit, për Qendrën e Klasterave të Biznesit kjo po bëhet për efekt të fushatës elektorale. Marrja e masave të shkëputura nga njëra-tjetra mund të ketë efektin e kundërt.

“Do të kemi një tkurrje të të ardhurave buxhetore dhe mund të ndodhemi para një situatë që pas disa muajsh, cilado qeveri, e majtë apo e djathtë do të detyrohet të rrisë dhe ndoshta dhe të dyfishojë tashmë taksat”, thotë Zusi.

Top Channel