Korea e Jugut tërheq punëtorët nga Veriu

29/04/2013 15:55

Korea e Jugut do të tërheqë edhe punëtorët e fundit nga një kompleks i përbashkët industrial me Veriun, pasi përkeqësimi i marrëdhënieve bëri të pamundur vazhdimin e bashkëpunimit në Kaesong.

Rreth 125 specialistë koreanojugorë u larguan nga kompleksi ditën e shtunë, ndërsa 50 të tjerë që mbeteshin tërhiqen brenda së hënës.

Kjo masë e Seulit vjen pasi Peniani refuzoi që të përfshihej në bisedime për rihapjen e kompleksit, pas një oferte publike që i bëri qeveria e Koresë së Jugut.

Afati i vendosur për pritjen e një përgjigje skadoi javën e shkuar pa asnjë reagim nga shteti komunist.

Aktualisht, tensioni në gadishull është në nivele të paprecedenta pas vendosjes së sanksioneve ndërkombëtare nga Këshillit i Sigurimit ndaj Koresë së Veriut, për lëshimin e paautorizuar dhe antiligjor të një sateliti nëpërmjet një rreze të gjatë veprimi në dhjetor e një testi bërthamor në shkurt.

Këtyre sanksioneve Peniani iu përgjigj duke anulluar armëpushimin me Korenë e Jugut dhe duke kërcënuar fqinjët, Japoninë e bazat amerikane në Azi me “shfarrosje bërthamore”.

Midis veprimeve të njëanshme që ndërmori regjimi diktatorial në veri ishte edhe mbyllja e kompleksit, që mban në punë 53 mijë koreanoveriorë dhe sjell përfitime të rëndësishme për të dy shtetet.

Një zonë industriale në anën koreanoveriore të kufirit të përbashkët, ajo e Kaesongut i ofron shumë kompanive të jugut që të përdorin krahun tejet të lirë të punës në vendin komunist, ndërsa Koresë së Veriut i shërben si një burim i unik i grumbullimit të valutës së huaj.

Top Channel