Bregu: 200 arsye për të mos votuar Ramën

29/04/2013 18:15

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu akuzoi sërish të hënën kryetarin e PS, Rama, se qëllimisht bllokoi marrjen e statusit të kandidatit.

Bregu ka kujtuar se 200 ditë më parë, Bashkimi Europian deklaroi se Shqipëria ishte një hap larg marrjes së statusit, por që të kapërcehej ky hap u vendos vetëm një kusht: votimi i 3 ligjeve.

“Në plot 200 ditë, vazhdimisht e vazhdimisht, Rama pati vetëm një impenjim: bllokimin e këtyre 3 ligjeve, bllokimin e aspiratës europiane të të gjithë shqiptarëve. Në çdo seancë parlamentare të zhvilluar në këto 200 ditë, Rama e ka refuzuar, i ka thënë me këmbëngulje “jo” kërkesës së përhershme të maxhorancës për t’i votuar 3 ligjet”, ka deklaruar Bregu.

Sipas saj, sot qytetarët shqiptarë kanë mbi 200 arsye për të mos e votuar Edi Ramën dhe dhe opozitën që ai drejton.

“Çdo gënjeshtër, manovër politike gjasme evropiane, alibi pa sens e shpesh kontradiktore, është një arsye më shumë që shqiptarët të mos votojnë Edi Ramën”, ka deklaruar Bregu. Ajo ka renditur edhe pasojat që sipas saj ky bllokim u ka shkaktuar shqiptarëve.

“Për 200 ditë, bashkë me statusin Edi Rama u ka mohuar qytetarëve dhjetëra milionë euro fonde të Bashkimit Europian. Ai vazhdon t’u mohojë shqiptarëve dhjetra-mijëra vende pune që lidhen me
integrimin e vendit në BE, si dhe vazhdon t’u mohojë të rinjve mundësi
studimi, kualifikimi dhe karriere profesionale në vendet më të mira
europiane”, ka thënë ministrja e Integrimit.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë fort për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ashtu siç e meritojmë. Kemi ecur në rrugën e duhur, duke përmbushur çdo ditë detyrimet e reformat që kërkon ky proçes dhe nuk do të ndalemi. 23 qershori do të jetë dita e fundit e bllokimit. Blloku që Rama u ngriti shqiptarëve do t’í bjerë kokës atij vetë më 23 qershor”, ka shtuar ajo. 

Top Channel