Itali, sulme me armë karabinierëve

28/04/2013 17:25

Të paktën gjashtë të shtëna u dëgjuan jashtë ndërtesës së kryeministrit të Italisë, ndërsa qeveria e re e Enrico Letta-s bënte betimin përpara presidentit Xhorxho Napolitano në Kuirinale, në Pallatin Presidencial të Romës.

Incidenti me armë ndodhi në orën 11:40 minuta, thuajse 1 km larg ndërtesës ku zhvillohej ceremonia e betimit.

Dy karabinierë u plagosën; njëri prej tyre në fyt, por nuk është në rrezik për jetën, ndërsa tjetri u qëllua në këmbë. Edhe një kalimtare u godit nga një plumb rikoshet.

Personi që qëlloi u arrestua nga forcat e rendit. Ai është 49-vjeçari Luixhi Preiti, kalabrez nga Rosarno, pa precedentë penalë. Mbërriti në sheshin “Kolona”, i veshur me kostum dhe nisi të bërtasë “Më qëlloni”, por më pas nxorri pistoletën dhe vuri në shënjestër karabinierët, që kishin formuar një gardh sigurie në Pallatin Kixhi (Chigi).

Sipas një dëshmitareje, ai qëllonte kundër tyre si të ishin “birila”. Luixhi Preiti mbeti i plagosur pas të shtënave dhe aktualisht ndodhet i shtruar në spital.

Kabineti i ri italian bën betimin
Koalicioni i mundimshëm bën vendin, më në fund, me qeveri

Zv/kryetari i Partisë Demokratike të Italisë, Enrico Letta është kryeministri i “koalicionit të madh” me 21 ministra, ku përfshihet edhe partia e Silvio Berluskonit, “Populli i Lirisë”.

Betimi i qeverisë së re italiane i jep fund dy muajve të bllokimit politik paszgjedhor. Forca e tretë e dalë nga zgjedhjet, “Lëvizja Pesë Yjet” e komikut që u bë politikan, Beppe Grillo, deklaroi se nuk do t’i bashkohej asaj.

Formula e qeverisë është cilësuar e paprecedentë nga analistët dhe vëzhguesit, sipas të cilëve, do të reflektojë një aleancë të vështirë mes dy kahëve të kundërt të politikës italiane.

Berluskoni, prej fillimit, saktësoi se nuk do të merrte ndonjë post ministror, por ai katapultoi në ekzekutivin e ri figura qëndrore të partisë së tij.

Njëri prej tyre është Anxhelino Alfano, sekretari i “Popullit të Lirisë” dhe një prej aleatëve më të afërt politikë të ish-kryeministrit italian.

Ai do të mbajë postin e zv/kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm. Një nga emrat më të rëndësishëm është ai i drejtorit të përgjithshem të “Bankës së Italisë”, Fabrizio Sakromani, që do të drejtojë Ministrinë e Ekonomisë.

Qeveria e re italiane ka më shumë gra, nga të mëparshmet. Një ndër to është Emma Bonino, ish-komisionerja europiane, që do të drejtojë diplomacinë italiane.

Një emër, që tërhoqi vëmendjen, është ai i Cecile Kienges, me origjinë nga Kongo, që do të mbajë postin e ministres së Integrimit.

Enrico Letta konsiderohet si një politikan i moderuar brenda Partisë Demokratike dhe ka lidhje me të djathtën, përmes xhaxhait të tij, Xhanit, një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Silvio Berluskonit.

Presidenti italian, Napolitano, që mori një mandat të dytë, ka deklaruar se do të japë dorëheqjen, nëse qeveria e re nuk zbaton reformat. Detyra e parë dhe më e rëndësishme e kësaj qeverie është t’i bëjë ballë rënies ekonomike të vendit.

Postet kyç të qeverisë italiane

Kryeministër – ENRICO LETTA, 46 vjeç
Min. i Brendshëm – ANGELINO ALFANO, 42 vjeç
Min. i Ekonomisë – FABRIZIO SACCOMANNI, 70 vjeç
Min. e Jashtme – EMMA BONINO, 65 vjeç
Min. e Drejtësisë – ANNA MARIA CANCELLIERI, 69 vjeç
Min. i Punës –  ENRICO GIOVANNINI, 55 vjeç
Min. i Mbrojtjes – MARIO MAURO, 51 vjeç
Min. e Integrimit – CECILE KYENGE, 48 vjeç
Min. e Shanseve të Barabarta – JOSEFA IDEM, 48 vjeç

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA