Rama, takime me zyrtarë në Vjenë

25/04/2013 00:00

Krahas axhendës elektorale në Shqipëri, Edi Rama ka nisur të projektojë
urat e bashkëpunimit me disa vënde europiane për të fituar mbështetjen e
tyre,  nëse vota e shqiptarëve do t’i besojë atij  drejtimin e
vëndit. Në funksion të këtij synimi, gjatë qëndrimit në Vjenë, Rama ka
zhvilluar një takim me Ministrin e Punës Çështjeve Sociale dhe Mbrojtjes
së Konsumatorit,  Rudolf Hundsdorfer.

Të dy bashkëbiseduesit u përqendruan në mundësinë e bashkëpunimit pas 23 qershorit, duke shkëmbyer praktikat më të mira në implementimin e programeve efektive të nxitjes së punësimit.  

Rama u takua edhe me Andreas Schieder, Sekretar i Shtetit në Ministrinë Federale të Financave. Pas takimit z. Schieder  dha këtë prononcim: “Unë mendoj se është një program i mirë, kur thuhet se Shqipëria ka nevojë për një Rilindje, një riforcim, konkretisht në kuptimin pozitiv të një shoqërie sociale.  Por më e rëndësishme është sipas mendimit tim, fakti që ne duam të bëjmë politikë për njerëzit, edhe për njerëzit në Shqipëri, në favor të tyre, pra kjo politikë duhet të japë rezultate për qytetarët në Shqipëri, të ketë vende pune, të ketë një shpërndarje të drejtë, por dhe një sistem taksash që vlerëson punën e gjithsecilit, por dhe që bën të mundur një shpërndarje të drejtë për të gjithë qytetarët e Shqipërisë”.

Pjesë e vizitës së Ramës në Austri ishte edhe një bashkëbisedim me diplomatë, zhvilluar në Alademinë Diplomatike të Vjenës. Duke iu përgjigjur interesit të diplomatëve, Rama u shpreh se nje nga sfidat e Qeverise se re eshte edukimi i te rinjve me standardet evropiane në mënyrë që gjenerata e re të ketë qytetarë të denjë të Europës.

“Përsa i përket dallimeve mes Saliut dhe meje nuk po numëroj shumë, por po them vetëm një.  Saliu kishte 13 vjet për të treguar se mund të bënte dicka për Shqiperinë dhe për shqiptarët,  ndërkohë që unë kisha mundësinë të tregoja që mund ta transformoja Tiranën nga një pazar oriental, në një qytet europian dhe kjo ka ndodhur”, thotë Rama.
 
I pyetur për vizionin e PS lidhur me çështjen kombëtare dhe marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri pas 23 qershorit, kryesocialisti Rama deklaroi se realisht bashkimi ka ndodhur, pasi sot kemi një kufi që nuk na pengon të bëjmë çfarë të duam bashkë.

Top Channel