Kriza e financave publike

25/04/2013 00:00

Anëtarja e Këshillit Mbikëqyrës në Bankën e Shqipërisë, Ermelinda Meksi
paralajmëron se buxheti ka hyrë në spiralen negative të borxheve.

“Në një kohë që ka rënië te ardhurash kemi një rritje të shpenzimeve, por jo atyre për zhvillim, pra investimeve që reflektojnë ulje, por kemi një rritje te shpenzimeve korrente, që janë kryesisht shpenzime për të paga, pensione dhe interesa borxhi. Kjo situatë bën që të reflektojë pas shumë kohësh fenomeni i deficitit ndaj të ardhurave korrente. Pra, kemi borxh për të shlyer pikërisht shpenzimet për konsum, paga, pensione, interesa borxhi”, thotë Meksi.

Në tre muajt e parë të vitit, deficiti i buxhetit ishte 640 milionë lekë më i lartë se investimet publike. Rregulli i artë, i përdorur si argument nga Kryeministri se Qeveria merr borxhe vetëm për investime ka rënë. Përballë kësaj situate të vështirë me financat publike, tre muajt e fundit Qeveria ka ulur një sërë taksash, të cilat tkurrin të ardhurat në buxhet me 17 miliardë lekë të tjera.

Zonja Meksi, ish-ministre e Ekonomisë, thotë se kjo është e rrezikshme.

“Pa rritjen ekonomike, pa rritjen e të ardhurave është e pamundur rritja e mirëqënies, pra paga e pensione dhe aq më shumë rritja e mundësive për të shlyer borxhet e marra. Në këtë rast dua të theksoj se precedenti i heqjes së tavanit të borxhit në fund të vitit të kaluar ka sjellë një situatë të rrezikshme për ekonominë, ku borxhi po rritet pa fre”, thotë Meksi.

Kriza e financave publike pasqyron tkurrjen e konsumit, por dhe investimeve publike e private. Zonja Meksi thotë se perspektiva nuk është optimiste kur tashmë, për herë të parë, pas shumë vitesh rritje, ekonomia po përballet edhe më rënie të kredisë.

“Moskreditimi i privatit, rënie e financimit të investimeve publike nëpërmjet buxhetit të shtetit do të sjellë një panoramë të ekonomisë së kontraktuar, e cila edhe sot funksionon nën kapacitet. Por në kushtet kur këta dy gjeneratorë mungojnë e bëjnë akoma më pesimiste situatën”, tha Meksi.

Vitin e kaluar ekonomia shqiptare shënoi rritjen më të ulët që nga viti 1997, me vetëm 1.6 për qind, ndërkohë që edhe për këtë vit parashikimet e FMN dhe Bankës Botërore janë në po këto nivele.

Top Channel