Kriza Ekonomike, Shqipëria mes vendeve më të prekura

22/04/2013 00:00

Dy ditë më parë Banka Botërore e përfshiu Shqipërinë në grupin e vendeve
më të prekura nga kriza dhe që kanë prespektivën më të zymtë ndër
ekonomitë në zhvillim.

Por cilat janë arsyet që qëndrojnë pas këtij rekordi negativ, kur Shqipëria ka qenë gjatë viteve të krizës në dy apo tre vendet me rritjen më të lartë ekonomike në Ballkan?

Përgjigja vjen nga të dhënat e Bankës Botërore. Këto të dhëna tregojnë se çfarë ka ndodhur me ekonomitë në zhvillim të Europës dhe Azisë Qendrore në tre vitet e fundit. Për periudhën 2010-2012, Shqipëria ka patur një rritje ekonomike mesatare 2.7 për qind.

Ndonëse për Ballkanin, ky është ndër treguesit më të lartë, krahasuar me vendet Balltike në zhvillim dhe ato të Azisë, rritja ekonomike e Shqipërisë është dy deri në tre herë më e ulët. Vetë Ballkani është shndërruar në rajonin më të prekur nga kriza, duke sfiduar gati edhe vetë Eurozonën, që është vatra e saj.

Sipas Bankës Botërore, në tre vitet e fundit, rritja mesatare e ekonomive ballkanike ka qenë thuajse e barabartë me atë të Eurozonës, ndërkohë që ekonomitë e tjera po rriten shumë më shpejt. Këto janë shifra faktike dhe të matura për vitet që tashmë kanë kaluar. Parashikimet për vitet e ardhshme janë edhe më të zymta.
Në 2013-n Banka Botërore vlerëson se ekonomia shqiptare do të rritet me 1.6 për qind, ndërkohë që për ekonomitë e rajoneve përreth shifra luhatet nga 2.5 deri në 5 për qind. Që pas vitit 2009, Qeveria e ka mohuar krizën pikërisht duke përdorur këtë argument. Faktin se Shqipëria renditet ndër vendet e para me rritjen më të lartë në Ballkan. Por sic tregojnë shifrat e Bankës Botërore, kjo është të parët ndër të fundit. E thënë ndryshe ndër më të prekurit.        

 

Top Channel