Xhimi: Gabova me shakanë e prezervativit

21/04/2013 12:00

Mbrëmjen e së shtunës ishte Xhimi banori i radhës që u largua nga shtëpia e “Big Brother” dhe në emisionin “Fan Club”, pasi theksoi se aventura në shtëpinë më të famshme në Shqipëri “ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme”, tha se shakaja e prezervativit në ushqim mund të ketë ndikuar në daljen e tij.

“E pranoj që ishte një shaka e tepruar, por nuk ishte me të keq. Banorët ma mbajtën vath në vesh dhe nuk e mbyllën këtë çështje edhe pse unë kisha kërkuar falje publike. Ata e kthyen sërish temën për të denigruar figurën time. Aty brenda jemi të izoluar dhe doja që gjithmonë të bënim shaka dhe t’ja kalonim mirë. Iliri dhe Elona më sulmuan shumë dhe i thanë banorëve se këtë shaka unë e kisha përsëritur sërish. Kjo nuk ishte aspak e vërtetë, nuk do e bëja kurrë. Ndoshta ky incident më eliminoi”, deklaroi 45-vjeçari.

Në lidhje me kritikat e Ilirit ndaj tij (“është njeri i shtrembër”) Xhimi u shpreh: “Unë jam i drejtë, por nëse sillesh keq me mua, unë përshtatem. Unë jam shakaxhi dhe e keni parë vetë se sa shumë kujdesesha për të tjerët në shtëpi.”

Sekreti i Xhimit ishte martesa, por një tjetër sekret u zbulua në emisionin “Fan Club”: Xhimi ka një fëmijë të dytë nga një grua tjetër.

“Në vitin 1993 kisha një lidhje të shkurtër me një grua tjetër dhe erdhi një fëmijë në jetë. Kam një djalë 20-vjeçar.”

Xhimi shpjegoi arsyen pse u bë pjesë e këtij reality-shoë: “U futa në Big Brother sepse më pëlqejnë sfidat. Gjithashtu kisha disa vështirësi ekonomike dhe thashë ta provoj një herë.”

Duke folur për banorët për të cilët ka pasur më shumë simpati, Xhimi tha: “Me Shpendin kam krijuar shumë shoqëri, gjithashtu edhe me Oltën.”

 

Top Channel