Marrëveshja është historike

21/04/2013 12:35

Ilir YZEIRI – Marrëveshja që u nënshkrua në Bruksel midis Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiç, për ne shqiptarët, është historike, madje duhet ta shkruajmë me germa të mëdha HISTORIKE.

Pse? Për shumë arsye. E para, më në fund ne shqiptarët jemi ata që, për herë të parë, kur vjen fjala që të vendosim për fatin tonë, territorin dhe kufijtë, firmosim ne dhe jo të tjerët për ne. Të mos harrojmë se kur u copëtuan trojet shqiptare, ishin të tjerët që firmosnin traktate e marrëveshje për fatin tonë. Shqiptarët kanë shumë merita historike në këtë shekull e në shekullin që shkoi.

Ata u treguan të fortë, nuk pranuan të asimilohen dhe nuk e shkëmbyen identitetin e tyre me asnjë identitet tjetër. Shqiptarët, gjithashtu, megjithëse të rrethuar me fqinj agresivë, nuk kanë qenë vetëm. Sidomos diaspora jonë në Amerikë dhe Noli e Konica i madh i siguruan Shqipërisë dhe shqiptarëve mikun më të fuqishëm dhe më të sinqertë të shqiptarëve, SHBA-në.

Falë kësaj aleance shpirtërore dhe demokratike, shqiptarët e Kosovës fituan pavarësinë dhe sot në Ballkan gjenden dy shtete shqiptarësh. Kjo është një nga fitoret tona më të mëdha historike. Natyrisht, çdo marrëveshje është lëshim, çdo kontratë përfill interesat e dy palëve. Marrëveshjet nuk janë një me këngët epike apo me frymëzimet romantiko-nacionale.

Marrëveshjet nuk i kënaqin të gjitha interesat, por marrëveshjet ngrihen mbi interesat themelore të palëve. Në këtë kuptim, marrëveshja e këtyre ditëve e ka siguruar Kosovën nga çdo ndërhyrje e jashtme që mund t’i cenojë pavarësinë dhe garant për këtë marrëveshje është Europa dhe SHBA-ja. Është e natyrshme dhe krejtësisht demokratike që parti me orientim të djathtë si në Kosovë, si në Serbi të mos jenë të kënaqura me këtë marrëveshje.

Kjo është pjesë e asaj që quhet “lojë” demokratike. Mirëpo, përkundër kësaj, marrëveshja shërben si një kuadër detyrues e ligjor për të ruajtur drejtpeshimin etnik midis dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë. Të mos harrojmë se Kryeministri i Serbisë firmosi një marrëveshja me Kryeministrin e një shteti që u shkëput nga trupi i shtetit të tij. Pra, de fakto Serbia e njohu shtetin e Kosovës.

Kjo është një fitore e madhe historike. Nacionalromantikët shqiptarë dhe patriotët e kafeneve mund të më thonë se ne kemi qenë gjithmonë më vete, se serbët apo shkau na kishte marrë pa të drejtë se “asha zotin” këtu e “asha Perninë” atje e kështu pa fund. Po të dashur vëllezër patriotë, por pavarësinë e fituam pse kishim në krah SHBA-në dhe pjesën më të emancipuar të Europës.

Ndaj duhet t’i dëgjojmë edhe ata. Bash në këtë çast mua më kujtohet një thënie e pavdekshme e filozofit, estetit e shkrimtarit modern Faik Konica, që thoshte se armiqtë e shqiptarëve nuk janë as serbët, as grekët as turqit, armiqtë e shqiptarëve janë vetë shqiptarët. Kjo thënie lapidare që karakterizonte shqiptarët e fundit të shek. XIX vlen edhe për sot për të karakterizuar shqiptarët e shek. XXI.

E thashë edhe pak më sipër, se sot në Ballkan ne shqiptarët kemi dy shtete, pra kemi dy mundësi që të imponohemi në tregun e vlerave europiane, qoftë duke ndërtuar demokraci funksionale, qoftë edhe duke u bërë shembull të respektimit të rendit dhe ligjit. Imagjinoni sikur Shqipëria dhe Kosova të ishin shtete me standarde demokratike të larta, me demokraci të pëlqyeshme, me një elitë politike kokulur që punonte për kombin dhe vendin e vet, me pushtete politike të ndara, me një korrupsion në nivele të pranueshme.

Nëse ne sot do të ishim të paktën si Kroacia, Shqipëria dhe Kosova do të kishin thithur miliona e miliona për të mos thënë miliarda euro investime. Në kushtet e krizës së rëndë të eurozonës ne do të ishim shfaqur me një potencial të fuqishëm ekonomik dhe do të ishim bërë faktorë për shumë vendimmarrje në Ballkan. Po të bëhemi shtete të fuqishme demokratike, po të instalojmë demokracinë me anë të ndërrimit demokratik të pushtetit, po të luftojmë realisht korrupsionin, ne do të merrnim duartrokitjet e partnerëve tanë dhe projekte zhvillimi pafund. Mirëpo ne jemi bërë turpi i Ballkanit.

Shqipëria drejtohet nga një plak i rrjedhur që e ka shkretuar ekonominë e këtij vendi dhe e ka futur shoqërinë në kolaps. Si të mos mjaftojë kjo, një pjesë e madhe kosovarësh e shohin këtë karikaturë si udhëheqës përrallash e këngësh majekrahi me “asha Zotin” e “asha Perninë”. Miqtë dhe partnerët tanë, ata pra që na dhanë Pavarësinë e Kosovës, po harxhojnë miliona e miliona euro që të na mësojnë se si të qeverisemi, ndërsa ne vazhdojmë të tregojmë se nuk duam të mësojmë prej tyre dhe në çdo raport shfaqemi si delja e zezë e Ballkanit. A nuk kishte të drejtë Konica kur thoshte se armiqtë e shqiptarëve janë vetë shqiptarët.

Marre nga e perditshmja “SHQIP”

Top Channel