Në ditën ndërkombëtare të ruajtjes së trashëgimisë kulturore, një artikull i botuar në numrin e fundit të revistës prestigjioze amerikane “Archaeology”, vjen si një lajm jo i mirë në prag të sezonit turistik, por edhe si një thirrje për të ruajtur vlerat më të rëndësishme, të cilat janë në themel të identitetit tonë kombëtar.
Dëmtimi, në dy raste gjatë muajve dhjetor dhe janar, i afreskut të pikturuar nga Onufri në shekullin e 16-të, në kishën e Shën e Premtes, në rrethin e Elbasanit, ka qenë në fokus të shkrimit kryesor të revistës.
Artikulli e vlerëson monumentin e kulturës si një nga veprat më të rëndësishme artistike në Ballkan. Dëmtimi, qoftë edhe i pjesshëm i një monumenti të rëndësisë së veçantë, cilësohet si një shkatërrim tepër shqetësues për trashëgiminë e një vendi.
Revista e njohur lexohet nga mbi 3 milionë amerikanë, si dhe shumë lexues të tjerë në mbarë botën, dhe ka një ndikim të drejtpërdrejtë në turizmin kulturor, duke qenë se ka kredibilitet edhe si organizatore e shumë tureve të tilla në Europë e gjetkë.
Si rrjedhojë, shkrimi mund të dëmtojë imazhin e Shqipërisë, si një vend potencial për të tërhequr turistë të huaj, duke qenë se në territorin e saj gjenden shumë zona të veçanta historike, me vlera të jashtëzakonshme universale.
Aktualisht, në Institutin e Monumenteve të Kulturës po punohet për të rivënë së bashku disa nga pjesëzat e gjetura, të cilat ishin dikur pjesë e afreskut. Specialistët pohojnë se 30% deri në 40% e afreskut të dëmtuar mund të shpëtohet.
Top Channel