Pas miratimit të paketës për ndryshimet në Kodin Civil dhe Kodin e procedurës civile, ministri i Drejtësisë doli para mediave për të njoftuar qytetarët se, tashmë rrugët janë më të shkurtëra për të zgjidhur konfliktet civile në Gjyqësor.

Në vijim të këtyre ndryshimeve, e tillë pritet të jetë edhe marrja e dëshmisë së trashëgimisë, për të cilën, që nga 1 shtatori, do të përjashtohet angazhimi i gjykatës dhe do të hyjnë në lojë noterët.

“Nga data 1 shtator, të gjithë qytetarët do t’i drejtohen noterëve për ndryshimin e dëshmisë së trashëgimisë. Urdhërat e ekzekutimit nuk do të jetë më nevoja të shkojnë në gjykata për t’i marrë, pra të gjithë urdhërat e ekzekutimit do të lëshohen nga kancelari, pa patur nevojën e gjykimit”, tha Eduart Halimi.

I pyetur për çështjen “Dajti” dhe formulën, që ofron Ministria e Drejtësisë për zhbllokimin e këtij procesi, ministri Halimi ofroi vetëm një zgjidhje, që në fakt varet nga vullneti i të pandehurit.

“Se kë avokat zgjedh i pandehuri, kjo është cështje e të pandehurit. Ne marrim përsipër që, cilindo nga 4 mijë avokatë që zgjedh i pandehuri, shteti merr përsipër t’i sigurojë atij pagesën me avokat. Pjesa tjetër është cështje e vullnetit të të pandehurit. Nëse i pandehuri nuk zgjedh dhe nuk bie dakord me këtë avokat, se njërit i pëlqen me flokë të bardha, tjetrit me flokë të zeza, kjo është cështje e të pandehurit, por ai do të vazhdojë të qëndrojë në burg dhe afatet pezullohen. Vërtet cështja mund të zgjatet, por shmangia nga dënimi është zero. Ka patur edhe një takim para disa kohësh me ekspertë të ardhur nga Britania për këtë cështje dhe zgjidhja që ata kanë dhënë është pikërisht kjo. Nuk është e nevojshme që të bëjmë asnjë rregullim ligjor për të patur cdo lloj rasti, ligji është i qartë”, shtoi Halimi.

I pyetur nga Top Channel për projektin e pallatit të drejtësisë, zoti Halimi shpjegoi se është miratuar projekti fitues, ndërkohë që kostoja e tij pritet të shkojë në 20 milionë euro.

Top Channel