Martesat e gjata të VIP-ave shqiptarë

18/04/2013 18:30

Të mbash gjallë një martesë nuk është e lehtë. Aq më tepër për njerëzit e njohur. Por cili është çelësi i suksesit të martesave të tyre?

Sadije dhe Dritëro Agolli

Sadije dhe Dritëro Agolli kanë gati 48 vjet bashkë dhe plot 50 vjet njohje. Një bashkëjetesë e gjatë dhe e bukur. Sadije Agolli ka treguar për “Pasditen” se kanë qenë dashuria dhe mirëkuptimi dy shtyllat kryesore të martesës së tyre. Shpeshherë dhe toleranca ka zënë vendin e këtyre të parave. Ndoshta më tolerant ka qenë Dritëroi, sipas saj.
“Unë nga veriu, ai nga jugu, Dritëroi ka qenë më fusharak”, thotë me dashuri gazetarja që e ka shoqëruar në çdo moment njeriun e jetës. Sakrificat për njëri-tjetrin janë vlerësuar gjithnjë, veçanërisht nga njeriu i letrave që bashkëshorten e ka pasur bashkëpunëtoren e tij më të ngushtë. Udhëtimet e shumta nëpër Shqipëri kur kanë qenë të dy gazetarë, i kanë dhënë martesës së tyre dhe më shumë jetë e dritë dhe i kanë ndihmuar të dalin nga monotonia. Por tashmë së fundi, pas kaq shumë vitesh bashkë më shumë se të gjitha këto, i bashkon dhembshuria për njëri-tjetrin.

Roza dhe Dhimitër Anagnosti

Aktorja e dashur Roza Anagnosti, tregon për “Pasdite në Top Channel” që sinqeriteti është baza e martesës së saj me regjistorin Dhimitër Anagnosti. Ata po i afrohen përvjetorit të 45 të martesës dhe padyshim marrëdhënia e tyre është një model. Dashuria, qetësia dhe mirësia që transmetojnë i bën gjithmonë më të dashur për publikun sa herë që rishfaqen në ekranin shqiptar. Ata vetë janë takuar për herë të parë në xhirimet e filmit “Toka jonë”. Dhimitri ishte një nga regjisorët e rinj të diplomuar në ish-Bashkimin Sovjetik, kurse ajo një nga aktoret e reja shumë të bukura dhe të talentuara. Shumë shpejt djali simpatik nga Vunoi i Vlorës u dashurua me vajzën bukuroshe nga Shkodra dhe të dy së bashku krijuan një nga çiftet më të bukura në atë kohë. Edhe sot, me gjithë moshën e tyre, Roza dhe Dhimitër Anagnosti vazhdojnë të mbeten një nga çiftet më tërheqës.

Helena dhe Ismail Kadare

Kujtimet e Helena Kadaresë na shfaqën në mënyrën më të sinqertë sfidat me të cilat është përballur martesa e saj me shkrimtarin Ismail Kadare. Ajo është e para femër e njohur shqiptare që ka pranuar publikisht dhe ka falur tradhëtinë e bashkëshortit. Jo pak herë, Helena ka marrë fëmijët dhe është larguar nga shtëpia, por pavarësisht tallazeve shpirtërore, kështjella e tyre e dashurisë ka arritur të mbijetojë. Dhe kjo falë tolerancës. Të pranosh tjetrin ashtu siç është, një nga sprovat më të vështira në jetën bashkeshortore, duket se është edhe timoni i martesës së dy shkrimtarëve të njohur.

Natasha Lako dhe Mevlan Shanaj

Shkrimtarja dhe aktori i njohur janë njohur ndërsa ishin studentë. Natasha, në vitin e parë gazetari, ndërsa Mevlani student i vitit të fundit në aktrim. Një dashuri studentore, e çlirët dhe e balancuar i bëri ata bashkëudhëtues në jetë. Edhe pse me temperamente krejtësisht të ndryshme, çifti i njohur ka arritur të ketë një martesë të suksesshme. Shanaj ka deklaruar se baza e këtij suksesi qëndron në dashurinë e barabartë dhe respektin reciprok. Përveçse bashkëshortë, ata janë dhe miqtë më të mirë të njëri-tjetrit.

Rozeta dhe Xhevdet Ferri

Ata janë njohur që në auditorin e Akademisë së Arteve. E pra, të dy para se të shkelnin atje kishin vendosur që s’do mplekseshin kurrë me aktorë. Në fakt ishin ata që e shkelën më shpejt se të gjithë këtë premtim që i kishin bërë vetes. Që në vitin e parë, aktorët e njohur u dashuruan me njëri-tjetrin dhe shumë shpejt sollën në jetë Borën, vajzën e tyre. Sakrifica qe e Rozetës. La pa ankesa çdo ëndërr karriere mënjanë për t’iu përkushtuar të bijës e familjes, për t’i hapur rrugë të shoqit. Një sakrificë që ai ia ka vlerësuar gjithë jetën. Toleranca dhe bazat e një familjeje tradicionale kanë qenë për ta themeli i një martese të lumtur.

Mihrije Braha dhe Naim Abazi

Të gjithë kujtojmë me kënaqësi se si e festuan vjet 20 vjetorin e martesës këngëtarët Mihrije Braha dhe Naim Abazi. Të dy u veshën si nuse e dhëndërr për të risjellë emocionet e ditës më të rëndësishme të jetës së tyre. Cifti i njohur e mbështet suksesin e martesës tek komunikimi. Ata kanë treguar në media se ka shumë mirëkuptim mes tyre. Nëse kanë patur zënka të vogla kudo në shtëpi apo në një ambient tjetër, ato kanë qenë më shumë një debat që i ka ndihmuar të rrisin dashurinë e tyre e asnjëherë zënka me përmbajtjte primitive.

Enada Hoxha dhe Gerti Vaso

Ata kanë pothuaj 9 vjet martesë, por kanë bashkëjetuar gjatë para se të vendosnin të martoheshin. “Binjakët siamezë” kështu cilësohen Enada Hoxha dhe Gerti Vaso, çifti i pandashëm si në punë ashtu edhe në jetë. Ky është dhe sekreti i martesës së tyre. Përfshirja dhe kujdesi për njëri-tjetrin. Ata s’janë ndarë asnjëherë nga njëri-tjetri, që në momentin kur kanë vendosur të qëndrojnë bashke. Ndoshta kjo i vë ata në qendër të vështrimeve rrugës apo kudo që kalojnë. Janë të rinj, të famshëm dhe njëkohësisht model klasik i një lidhjeje. Në çdo performancë apo emision televiziv ata flasin për njëri-tjetrin sikur të jenë në fillim të romancës së tyre. Por në fakt balerinët e parë të Teatrit të Operës dhe Baletit kanë shumë vite bashkë.

Saimir dhe Enkela Braho

Këngëtari dhe regjizorja e njohur shquhen për martesën e tyre të suksesshme. Të qënët një, sipas tyre është një nga investimet më të rëndësishme në forcimin e martesës. Gjë e cila nuk është e mirëqenë kur hyn në martesë. Edhe ata si pothuaj të gjithë, kanë kuptuar se gjërat që të ndajnë, janë më tepër sesa kishin menduar në fillim, por ata mundohen t’i përkushtohen nevojave të njëri-tjetrit për kohë, vëmendje, argëtim në mënyrë që të forcojnë të qenët një.

“Semafori jeshil”, motoja e martesës së Enrietës dhe Agustinit

Enrieta dhe Agustini, 11 vjet njohje, 7 vite martesë. Vajza nga Laçi dhe djali nga Lezha u takuan për herë të parë në Shkodër. Aty dhe ku nisi një histori dashurie tipike studentore.

Enrieta studionte për fizikë, ndërsa Agustini për juridik. Njohja erdhi nga miq të përbashkët e më pas filloi të forcohej dalëngadalë nga shumë gjëra që i bashkonin të rinjtë.

Të dy të apasionuar pas librave dhe poezisë, filluan të apasionoheshin më shumë nga takimet e tyre të shpeshta që dalëngadalë i shtynë drejt një dashurie të madhe. Një dashuri e çlirët që u zyrtarizua pas 2 vitesh në fejese. Studenti i shkelqyer i juridikut dhe fizikantja tashmë e diplomuar ishin nisur drejt një rruge ku do ishin bashkëudhëtarë në jetë.

Një dasmë e bukur tradicionale e shoqëruar me një muaj mjalti dhe plot udhëtime do ia linte vendin shumë shpejt gëzimit të ardhjes në jetë të Gabrielit dhe dy vjet më vonë të Patrikut. Dy djemtë simpatikë që bënë prindër Enrietën dhe Agustinin sollën një ndryshim total të jetës së çiftit të ri dhe sigurisht sfida të reja për jetën e tyre.

Tashmë të rritur, 6 dhe 4 vjeç, dy djemtë presin të bëhen dhe me një motër që do të lindë në shtator.

Brenda 7 viteve 3 fëmijë. Por s’është kjo arritja e vetme e çiftit Prenga. Këto vite bashkë u kanë mësuar shumë gjëra se si të përshtaten me karakteret e ndryshme të njëri-tjetrit, si t’i kapërcëjnë vështirësitë e si të jenë miq të mirë.

Motoja e martesës së tyre: semafori jeshil. 7 vitet e martesës së tyre i kanë mësuar se s’mund të jenë të dy me të kuqe, njëri ose tjetri, gjithmonë duhet të hapë rrugë.

Historia e njohjes së Entelës dhe Marselit

Entela dhe Marseli. Dy të rinjtë nga Tirana kanë tashmë 9 vjet bashkë dhe 6 vjet martesë.

Studentja e farmacisë u njoh me montazhierin e një televizoni të njohur në kryeqytet në një kafe në qendër të Tiranës, një vend ku dashje pa dashje e kanë filluar historinë e dashurisë shumë të rinj. Ajo, një vajzë çapkëne, ndërsa ai një djalë i shkathët me batuta në majë të gjuhës. Të prezantuar nga miq të përbashkët njohja e tyre erdhi më shumë si një garë konkurence me shpoti ku që në fillim dukej qartë të paktën nga miqtë e tyre se çfarë do të kishte në finish.

Dhe në fakt tashmë ajo garë ka rezultuar një fitore jete. Entela dhe Marseli rendën drejt fejesës e më pas ndalën hapat drejt altarit. Një dasmë e menduar në çdo detaj. Që nga ceremonia në kishë e më pas festa me miqtë e me të afërmit. Një shtëpi ku ata do nisnin jetën bashkëshortore pa ngutin për t’u bërë me fëmijë.

Jetë nate, udhëtime në skaje të ndryshme, aventura dhe sigurisht shumë punë. Bashkëdrejtuesit e një karaokeje të njohur në Tiranë, e kishin menduar që në fillim që do ta shtynin sa më shumë të ishte e mundur ardhjen e një fëmije. Ata donin ta shijonin jetën e tyre në çift e më pas kur të ishin gati të kompletoheshin si familje.

Gold Melody, vajza e tyre e vogël vetëm prej 1 muaji e gjysmë ka mbushur shtëpinë e çiftit Zadrima. Një ndryshim jo i vogël për jetën e tyre, por sigurisht sa i bukur dhe aq i vështirë. Por do të mësohen dalëngadalë, ashtu siç u mësuan në fillim në hapat e parë të martesës, motoja e së cilës është: Të jesh prezent gjatë gjithë kohës.

Top Channel