Lëvizja Vetëvendosje ndërmer një nismë për formimin e një komisioni hetimor parlamentar, synimi i së cilit do të ishte hetimi i proçesit të privatizimit të 75% të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Për të arritur këtë duhen 40 firma të deputetëve, por Vetëvendosje, e cila ka 12 deputetë, duhet të marrë mbështetjen edhe të partive opozitare, LDK-së dhe AAK-së.

Kjo gjë u bë e ditur të mërkurën gjatë një konference për media, ku nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti hodhi dyshime për privatizimin e PTK-së.

“Deri në këtë moment nuk kemi përgjigje. Ju e dini që AAK-ja ka dalë në përkrahje të proçesit dhe LDK-ja e ka kundërshtuar. Por, nuk kemi marrë përgjigje nëse do të japin nënshkrimet apo jo”, ka deklaruar Ahmeti.

Sipas Ahmetit, në bazë të kërkimeve në internet, por edhe nga aktivistët e Vetëvendosjes në Gjermani, adresa e kompanisë “Axos Capital Partners”, nuk është më shumë se një shtëpi.

Po sipas tij, kjo kompani gjermane (e cila së bashku me “Najafi Companies” nga Amerika janë fituese të 75% aksioneve të PTK-së) nuk ka përmbushur njërin nga kushtet kryesore.

““Axos Capital Partners”, sipas qeverisë, është fituese. Fituesi i privatizimit të PTK-së, në këtë rast udhëheqësi i konsorciumit, duhet të ketë përmbushur disa kushte. Neve nga hulumtimi jonë kemi vënë re se kjo kompani ka një kapital të regjistruar prej 25 mijë eurosh dhe me qarkullim mijëra euro e jo miliona siç pretendohet. Dhe neve na duket se kjo kompani është përfaqësuese e një blerësi tjetër. Ne duam ta dimë se kush është blerësi tjetër, kush qëndron me kapital 277 milionë euro”, ka nënvizuar Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se po kërkojnë që qeveria e Kosovës të sqarojë nëse këto dyshime janë të vërteta, ndërsa ka shfaqur edhe dyshimin se në këtë privatizim janë të përfshira kompani që janë të lidhura me PDK-në.

Në anën tjetër, Ministria për Zhvillim Ekonomik ka sqaruar edhe një herë opinionin në lidhje me konsorciumin gjermano-amerikan si fitues të kësaj gare.

“Garancitë për kredibilitetin e këtij grupi të investitorëve janë dhënë edhe nga shtetet e origjinës së investitorëve. Në këtë kontekst, rëndësia e këtij proçesi është konfirmuar përmes qëndrimit të përbashkët të ambasadës së Gjermanisë, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar”, thuhet në një komunikatë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA