Dalipi, në krye të Këshillit të Tiranës

17/04/2013 00:00

Këshilltarët e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim
zyrtarizuan bashkimin e tyre, në një takim, gjatë të cilit propozuan
kryetarin e këshilltarëve socialistë, Aldrin Dalipi për postin e
kryetarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Kjo lëvizje vjen një ditë pas kërkesës së firmosur nga këshilltarët e PS dhe LSI për mbajtjen e një mbledhje urgjente të Këshillit Bashkiak, me objekt shkarkimin e kryetarit aktual, nga radhët e demokratëve, Njazi Kosovrasti.

Duke iu drejtuar kryebashkiakut Lulzim Basha, kryetari i këshilltarëve socialistë deklaroi se ky nuk është konflikt politik, por vendosje e legjitimitetit të shumicës.

“Të heqë dorë nga cdolloj provokimi të vogël dhe të kuptojë që ky nuk është konflikt politik,por ky është një reagim qytetar i shumicës, ndaj vendosjes së legjitimitetit të institucioneve në Tiranë apo në të gjithë Shqipërinë”, tha Dalipi.

Për kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim për Tiranën, Shezai Rrokaj dhe kryetarin e Partisë Socialiste për Tiranën, Sajmir Tahiri kjo lëvizje është garant i votës së qytetarëve.

“Kemi gjithë energjinë e duhur që t’i garantojmë qytetarët e Tiranës, por edhe më tej,qytetarët e Shqipërisë se kjo votë do të garantohet, vota do të shkojë atje ku ajo e ka marrë destinacionin e saj prej qytetarit”, tha Rrokaj.

“Bunkeri i fundit që i kishte ngelur Sali Berishës deri më sot, ishte pushteti vendor. Ne sot jo vetëm afirmojmë vullnetin tonë për të qenë shumicë në cdo njesi vendore, por nga ana tjetër i heqim mundësinë e fundit Sali Berishës, për të strehuar manipulatorët e tij”, tha Tahiri.

LSI bashkon votat me PS edhe në Durrës

LSI ka bashkuar edhe në Durrës votat me Partinë Socialiste duke ndryshuar mazhorancën në Këshillin Bashkiak të këtij qytetit. Ndryshimet janë paralajmëruar edhe në bashkitë dhe komunat e tjera të këtij qarkut, e që më pas pritet të reflektohen edhe në ndryshime në Këshillin e Qarkut. LSI njoftoi vendimin e saj për të bashkuar votat me PS me anë të nënkryetarit të saj për Durrësin, Lefter Koka.

Top Channel