SHBA – Berishës: Mos prek KQZ!

15/04/2013 00:00

E ndërsa maxhoranca po jep shenja, se është e vendosur të kryejë
zëvëndësimin e anëtarit të KQZ-së, Shtetet e Bashkuara të Amerikës,
nëpërmjet ambasadorit Aleksandër Arvizu, i kanë dërguar një mesazh të
fortë Kryeministrit Berisha.

Ambasadori kërkoi respektimin dhe lejimin e funksionimit të KQZ-së jashtë çdo ndërhyrje politike, përfshi këtu edhe Parlamentin.

“Së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, ajo që kemi theksuar në mënyrë konseguente dhe të përsëritur është apeli për të gjithë personalitetet, për të gjitha institucionet, për njerëzit në Qeveri, për njerëzit në opozitë, të veprojnë në mënyra që rrisin besimin e njerëzve, besim jo tek rezultati, por tek procesi, në mënyrën se si zhvillohen zgjedhjet. KQZ është institucioni përgjegjës për zhvillimin e zgjedhjeve dhe, si i tillë, është me rëndësi që pavarësia e këtij institucioni të respektohet. KQZ duhet të jetë e lirë nga çfarëdo ndërhyrjeje nga ndonjë individ, nga ndonjë institucion dhe këtu përfshihet edhe Kuvendi i Shqipërisë. Pra, është një thirrje shumë e thjeshtë dhe bazike që e kemi bërë dhe ndryshimi i rregullave në mes të lojës, në mes të procesit është pikërisht mënyra e gabuar për të frymëzuar besimin për të cilin flasim”, tha Arvizu.

Top Channel e pyeti ambasadorin amerikan, nëse ndryshimi i rregullave të lojës është shkelje e çdo kufiri nga maxhoranca. Arvizu dha këtë përgjigje: “Nuk mendoj se ka njeri që do të donte një vendim apo veprim që do ta vendoste Shqipërinë në rrugën e përplasjes me SHBA dhe komunitetin ndërkombëtar; sepse synimi këtu, objektivi janë zgjedhje të lira dhe të ndershme. E gjitha ka të bëjë me procesin, nuk ka të bëjë me rezultatin”.

Arvizu foli edhe për rrethanat e ndryshuara pas ndërtimit të koalicionit KQZ-LSI, të cilat do të reflektojnë në formimin e KZAZ-ve.

“Nuk ka diskutim që kur LSI vendosi të tërhiqej nga koalicioni qeverisës dhe të hynte në koalicion me Partinë Socialiste, kjo solli rrethana të ndryshuara, përfshirë edhe në 89 KZAZ-të. Pozicioni i SHBA është që KQZ, siç është e ndërtuar aktualisht ka jo vetëm kapacitetin, por edhe përgjegjësinë për të trajtuar çështjet që lindin nga administrimi i zgjedhjeve. Dhe kjo sigurisht  përfshin, edhe pse nuk kufizohet vetëm në përbërjen e 89 KZAZ-ve. Me fjalë të tjera, struktura ekziston, e rendësishmja është të lejohet KQZ-ja që të kryejë punën e saj”, tha Arvizu.

Këto deklarime me tone të larta të Arvizut vijnë pas disa ditësh intensive negociatash mes ndërkombëtarëve dhe palëve, prej të cilave nuk është prodhuar konsensusi i nevojshëm, për t’u zbrapsur nga alternativa e zëvendësimit të njërit prej anëtarëve të KQZ-së, pavarësisht kundërshtisë së SHBA dhe BE-a dhe thirrjeve për respektim të Kodit Zgjedhor.

Top Channel